Në fillim të kësaj jave KB Peja njoftoi se basketbollisti nga Shqipëria, Daniel Lekndreaj, është pajisur me pasaportë të Kosovës. Klubi pejan ka thënë se tani e tutje Lekndreaj do të llogaritet lojtar vendor. Ai ka pasur statusin e basketbollistit të huaj pavarësisht se vinte nga Shqipëria. Me këtë lëvizje skuadra pejane ka shtuar numrin e vendorëve në ekip derisa ka liruar një vend për lojtar të huaj.
Këtë edicion klubet nuk e kanë të limituar numrin e të huajve për t’i regjistruar, por vetëm katër prej tyre mund t’i përfshijnë në përbërje derisa në ndeshje mund të luajnë vetëm tre në të njëjtën kohë.
“Ju njoftojmë se lojtari ynë, Daniel Lekndreaj, edhe zyrtarisht është pajisur me pasaportën e Kosovës më të cilën do të llogaritet lojtar vendor në Ligën Unike dhe Superligën e Kosovës. Suksese Daniel, respekt dhe dashuri gjithherë për pasaportën e dytë”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Pejës, që këtë edicion krahas Superligës së Kosovës po paraqitet edhe në Ligën Unike.
Një lëvizje të ngjashme sikurse Peja po synon ta bëjë edhe skuadra tjetër elitare e basketbollit kosovar, Trepça.
Mësohet se te Trepça duan ta pajisin me pasaportë të Kosovës fundorin nga Mali i Zi, Amin Hot. Këtë edicion Hot është njëri prej më të dalluarve te Trepça, që po synon titullin e kampionit. Skuadra mitrovicase stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e parë në tabelë. Hot po luan me mesatare prej 10.4 pikëve, 5.6 kërcimeve dhe gjashtë asistimeve për ndeshje.
Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) janë në dijeni për gjithë këto lëvizje. Në FBK thonë se janë ekipet e Superligës që kanë aplikuar për t’i pajisur lojtarët me pasaporta të Kosovës. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa e pasur letrën mbështetëse nga federata.
“Ekipet kanë aplikuar, por këtë nuk mund ta bëjnë pa letrën mbështetëse të federatës. Ne ua kemi dhënë letrën mbështetëse por kjo nuk do të thotë se do t’ua lëshojmë të gjitha klubeve. Këtë e bëjmë vetëm për lojtarët që na interesojnë për të ardhmen që të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së. “Të gjithë duhet të kenë prejardhje nga Kosova dhe klubet në momentin që e kuptojnë këtë angazhohen dhe kërkojnë letrën mbështetëse për t’i pajisur me pasaportën tonë”.
Dushku ka thënë se tani për tani si Lekndreaj ashtu edhe Hot nuk janë në planet e FBK-së për t’u ftuar në përfaqësuese. Basketbollisti i Pejës, Lekndreaj, që është edhe reprezentues i Shqipërisë, nuk e përjashton mundësinë për ta përfaqësuar Kosovën nëse do të marrë ftesë në të ardhmen. Lekndreaj e njeh kampionatin e Kosovës pasi edicionin e shkuar ishte pjesë e Sigal Prishtinës.
“Për atë pjesë kam dëshirë t’ia lë kohës edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës. Aty nuk më përket mua, por nuk kam qejf të bëj ndarje. Meqë e kam filluar te Shqipëria, aty do të rri për momentin por kohës nuk i dihet. Do të isha në pozitë shumë të vështirë pasi nuk mund t’i ndajë por mundësinë nuk e përjashtoj”, ka thënë Lekndreaj në pyetjen se a mund të luajë për Kosovën në të ardhmen.
Me nënshtetësi të Kosovës së fundi janë pajisur edhe dy basketbollistë tjerë. Bëhet fjalë për Jetmir Zeqirin dhe Jan Palokajn, të cilët janë pjesë e Sigal Prishtinës. Ndërkohë, Lejson Zeqiri që po ashtu luan te Prishtina, e posedon pasaportën e Kosovës. Lejsoni e Jetmiri janë vëllezër kurse kanë prejardhjen nga Gjilani.
Në të vërtetë Lejsoni ka lindur në Prishtinë dhe të dy para fillimit të këtij edicioni i janë bashkuar ekipit nga kryeqyteti kurse si basketbollistë janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, ku aktualisht jeton familja e tyre. Ndërkohë Palokaj është i lindur dhe i rritur në Kroaci ndërsa prejardhjen e ka nga qyteti i Klinës.
“Lejsoni e ka pasur pasaportën por jo edhe Jetmiri e Jani, të cilët tashmë janë pajisur me nënshtetësi. Ata tani llogariten lojtarë vendorë dhe kjo është një përparësi e madhe për klubin tonë”, ka thënë drejtori i Prishtinës, Edmond Azemi.
Kjo treshe e Prishtinës po i intereson FBK-së dhe gjasat janë të mëdha që vëllezërit Zeqiri dhe Palokaj të ftohen vitin tjetër nga përzgjedhësi Christos Marmarinos.
“Lojtarët e Prishtinës, vëllezërit Zeqiri dhe Palokaj, na interesojnë dhe ne i shohim si potencial për të qenë pjesë e Kosovës. Në fakt për Lejsonin kemi pasur interesim edhe më përpara për shkak se ai ka pasur pasaportë të Kosovës”, ka thënë Dushku.
Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave mund t’i bashkohet Enxhi Xhanaj që së fundi ka marrë nënshtetësinë e Kosovës. Xhanaj tashmë disa vjet edhe pjesë e ekipit të Prishtinës kurse ka luajtur edhe për Shqipërinë. Xhanaj po shihet interes shtetëror sikurse të gjithë ata që natyralizohen nga FBK-ja.
“Edhe Xhanaj ka mundësi të jetë pjesë e Kosovës në të ardhmen pasi e shohim si interes shtetëror. Po ashtu të gjithë të huajt i natyralizojmë për interes shtetëror”, ka shtuar Elvira Dushku.
Deri më tani FBK-ja ka pesë amerikanë të natyralizuar: Justin Doellmanin, Shawn Jonesin, Malcolm Armsteadin, Scott Bamforthin e Divine Mylesin. Ndërkohë pasaportën e Kosovës e ka edhe Mikaile Tmushiq që është pjesë e Kosovës dhe ka prejardhjen nga Peja. Tmushiq aktualisht është pjesë e Golden Eagle Yllit, kurse karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Bashkimi e Sigal Prishtina.