Sport

Kastrati tregon synimet e mëdha të Yllit

Golden Eagle Ylli befasoi të gjithë me startin e dobët këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Por skuadra suharekase stinorin vjeshtor e përmbylli ashtu si i ka hije kampiones në fuqi.

Garën në Superligën e Kosovës Ylli e nisi me tri humbje, për t’u kthyer fuqishëm duke e përmbyllur edicionin me dhjetë fitore e katër humbje. Zë vendin e dytë në tabelë me 24 pikë, sa i ka edhe skuadra e Trepçës që dimëron si kampione falë koshdallimit më të mirë.

Ndërkohë në Ligën Unike turneun nismëtar të së cilës e fitoi, Ylli e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e parë me 13 pikë të mbledhura pas shtatë xhirove të luajtura.

Njëri prej lojtarëve kryesorë të Yllit, Erjon Kastrati, pranon se ka pritur fillim të ngadalshëm por jo me tri humbje në tri ndeshjet e para. Ylli nisi me humbje nga Trepça (72:69) për të vazhduar me disfata edhe ndaj Bashkimit (60:55) e Prizrenit-16 (107:80).

“Është e vërtetë që starti i sezonit nuk ishte ashtu siç kemi dëshiruar, por vitin arritëm ta mbyllnim në mënyrën më të mirë duke u dëshmuar si kampion në fuqi, si në Superligë ashtu edhe në Ligën Unike”, është shprehur Kastrati të martën për KOHËN.

Ai shpjegon arsyen e startit të dobët të Yllit, përkundër që kishte ndërtuar një ekip të fuqishëm për edicionin 2021/22.

“Në njëfarë mënyrë e kam pritur që do ta kemi një start të dobët, por jo edhe të regjistrojmë tri humbje rresht. Mendoj se kemi çaluar paksa. Arsyeja kryesore është se sistemi i trajnerit Adis Beçiragiq kërkon pak kohë derisa të instalohet në ekip. Ai kërkon dhe ka dëshirë që ne të luajmë basketboll të organizuar, të gjithë lojtarët të luajmë me një ide. Dhe kjo ishte arsyeja e startit të dobët, për shkak se kishim paksa vështirësi të komponohemi dhe adaptohemi”, është shprehur Kastrati. “Po ashtu nuk ishte aspak e lehtë sepse të gjitha ekipet kishin motiv shtesë përballë kampionit në fuqi”.

Kastrati insiston se Ylli ka paralajmëruar të gjitha skuadrat se synim e ka mbrojtjen e trofeve të edicionit të shkuar – titullin e kampionit të Kosovës dhe Ligës Unike. Sipas Kastratit, në stinorin pranveror Ylli do të jetë edhe më i fortë dhe do të synojë edhe Kupën e Kosovës.

“Ne i kemi synimet më se të qarta, t’i mbrojmë trofetë që i kemi fituar edicionin e shkuar si dhe ta kërkojmë Kupën e Kosovës. Mirëpo nuk do të jetë lehtë as në kampionat e as në Ligën Unike, sepse skuadrat janë të forta. Ky edicion është shumë i fortë dhe do të jetë më i fortë në pjesën e dytë të kampionatit, ku besoj se do të kemi paraqitje edhe më të mira”, ka thënë Kastrati. “Nuk bën të nënçmohet asnjë kundërshtar, duhet të respektohen të gjithë. Besoj se do të jemi edhe më të vendosur në pjesën e dytë dhe do të vazhdojmë fuqishëm drejt synimeve tona. Nëse nënçmojmë dikë atëherë do të kemi probleme. Ka shumë kandidatë që luftojnë për trofe, por ne jemi të gatshëm që pas titullit të parë në histori të klubit të vazhdojmë me suksese tjera”.

Stinori pranveror në Superligën e Kosovës në basketboll nis më 12 janar, kurse duelin e parë Ylli do ta ketë në udhëtim te Trepça.

Reprezentuesi i Kosovës, Kastrati, në Ligën Unike luan me mesatare prej 20 pikëve për ndeshje. Në Superligë mesatarja e tij e pikëve është 15,6.