Në gara për fëmijë kishte nisur rrugëtimin në karrierën si xhudiste Majlinda Kelmendi. Ishte një rrugëtim plot shkëlqim, që solli medaljen e artë olimpike, dy tituj të botës, shumë të Evropës e dhjetëra medalje nga garat e tjera.
Majlinda të shtunën nisi një rrugëtim tjetër. Sërish në një garë për fëmijë. Majlinda Kelmendi ka debutuar si trajnere e xhudos. Për herë të parë ajo ka drejtuar garues në garë të xhudos. Majlinda i ka dhënë fund karrierës si xhudiste në fund të korrikut, ndërsa javë më vonë kishte nisur punën e trajneres në ekipin e Driton Kukës.
Të shtunën, 30-vjeçarja është sfiduar për herë të parë si trajnere në gara.
Xhudistët e rinj të Ipponit, përkatësisht nxënësit e Majlindës, kanë marrë pjesë në një garë ndërkombëtare për fëmijë të mbajtur në Maribor të Sllovenisë. Gara ishte për xhudistët e grupmoshës U12, U14 e U16. Sipas njoftimit të Federatës së Xhudos së Kosovës, morën pjesë 27 klube nga Sllovenia, Austria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Ukraina e Kosova. Klubin pejan e përfaqësuan 11 garues të rinj. Katër prej tyre fituan medalje të arta. Dy fituan medalje të argjendta, dy të bronzta. Ipponi kishte edhe dy vende të pesta e një vend të shtatë.
Medalje ari fituan Jon Kuka në grupmoshën U12 dhe Roni Reshitaj, Sidorela Dodaj dhe Enise Zijade në grupmoshënU14.

“Sot kam debutuar. Shkoi mirë, por kisha goxha stres”, ka thënë Majlinda për KOHËN, të shtunën. Ajo ka vlerësuar lart njomakët me të cilët po punon.
“Është një gjeneratë e mirë që po vjen. Më kanë dëgjuar në garë, shumë mirë. Janë të talentuar. Edhe ata që nuk morën medalje janë paraqitur mirë. Gjërat që i kemi ushtruar janë munduar t’i zbatojnë në luftëra. Kjo është me shumë rëndësi për moshën që e kanë”, ka shtuar Majlinda.
Medalje të argjendta kanë fituar Fiona Kuka e Blin Kuka, ndërsa medalje të bronzta morën Toska Zijade e Ruvejda Llonqari.
Me ekipin e njomakëve ishin edhe kryetari i FXHK-së, Agron Kuka dhe trajneri Fatos Tabaku.
“Për të gjithë garuesit ishte paraqitja e parë në skenën ndërkombëtare. Nuk kanë garuar jashtë Kosovës në të kaluarën. Komunikimin me ta e kemi shumë të mirë. Më besojnë çdo gjë që u them dhe mundohen ta aplikojnë”, ka theksuar Kelmendi.
E shtuna ishte ditë shumë e rëndësishme për xhudon kosovare. Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka shpallur Distria Krasniqin xhudisten më të mirë të vitit në botë. Ndërkohë, Driton Kukës i ka takuar çmimi i trajnerit më të mirë të vitit në botë.
Majlinda për kohë të gjatë është llogaritur xhudistja më e mirë në botë. Disa herë ishte shpallur më e mira nga IJF-ja e po ashtu, disa herë ishte më e mira e Evropës.
Atë që e ka mësuar nga Driton Kuka për shumë vjet, Majlinda tani po e përcjell te xhudistët më të rinj. Fillimi i karrierës së Majlindës si trajnere është shumë premtues.