Sport

E veçanta e Prognit, ka shënuar ndaj të gjitha skuadrave

Descriptive Text

Pozita e parë e Gjilanit në stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll lidhet direkt me Gerhard Prognin.

Futbollisti nga Shqipëria është golashënuesi më i mirë në pjesën e parë të kampionatit me 12 gola. Ka dy gola më shumë se Kreshnik Uka i Drenicës.

E veçanta e Prognit, i cili po e bart shiritin e kapitenit te Gjilani, është se po luan mesfushor ofansiv dhe po shquhet për gola të shumtë.

Nga 34 pikët e Gjilanit, 16 janë siguruar me golat që i ka shënuar Progni, pra gati gjysma e pikëve kanë ardhur nga golat e tij. Ai ka arritur t’u shënojë të gjitha nëntë ekipeve të Superligës.

Dy gola në një ndeshje i ka shënuar vetëm kundër Drenicës. Kurse në ndeshjet ndaj ekipeve të tjera ka realizuar nga një gol. Pesë gola i ka nga penalltia, një me kokë, dy nga gjuajtjet e lira, tri nga distanca dhe një me goditje nga zona.

Kundër Malishevës e ka shënuar një gol në kohën shtesë të pjesës së parë, në kuadër të xhiros së 17-të. 11 gola të tjerë i ka realizuar në pjesën e dytë. Të gjithë golat i ka shënuar me këmbën e djathtë.

Goli në duelin e fundit ndaj Ballkanit ishte ndër më të bukurit e stinorit vjeshtor.

“Të them të drejtën që tani i jap 12 golat që ta marrim Kupën në fund, pasi nuk më interesojnë shumë golat”, ka thënë Progni për KOHËN.

35-vjeçari nga Tropoja mendon se në bazë të asaj që kanë shfaqur në vjeshtë, e meritojnë të jenë kandidatët numër një për titull. Pikë e fortë, sipas tij, është karakteri i fortë te Gjilani.

“Oreksi vjen duke u rritur, kështu që me këtë që kemi treguar besoj që e meritojmë të jemi kandidatët numër një për titullin kampion. Karakteri e veçon Gjilanin, që nga presidenti, kryesia, shtabi teknik e deri te lojtarët. Kemi një grup lojtarësh që janë kampion më herët. Me lojtarët që kemi ne nuk është çudi që të fitojmë ndaj çdo ekipi”, tha Progni.

“Duke nisur që nga administrata, Gjilani është një ndër klubet më të rregullta si me paga, si me gjëra të tjera. Shtabi teknik është tjetër, grupi i lojtarëve është akoma më i mirë dhe mund të them që rinia me ne të vjetrit po kombinohet mjaft mirë”.

Progni foli edhe për trajnerin Ismet Munshi.

“Është trajner shumë i mirë, është motivues i madh, e bën punën me pasion. Po na fut edhe neve atë pasionin edhe më shumë”.

Fjalë të mëdha për Prognin vazhdimisht ka pasur trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi. Sipas tij, Progni po kalon edicionin më të mirë në karrierë.

Gjilani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit. Para dy edicionesh është renditur në vendin e dytë me pikë të njëjta me Dritën, por për shkak të dueleve direkt më të dobëta e kishte humbur mundësinë që të stolisej me titull.

Gjilani ka seri të mirë, ku në 13 ndeshje nuk e ka pësuar asnjë humbje. Ka tetë fitore dhe pesë barazime. Është ekipi i vetëm në Superligë me një humbje. Ulpiana është ekipi që e ka mposhtur Gjilanin, si mysafir, 3:2.