Sport

Kuka: Po të mos ishin lëndimet Majlinda do ta dominonte xhudon edhe 4-5 vjet

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka thënë se lëndimet e kanë shtyrë ikonën e sportit Majlinda Kelmendin që të tërhiqet nga xhudo.

Kuka ka thënë se Majlinda shkaku i lëndimeve të shumta në dy-tri vjetët e fundit kishte menduar të tërhiqej nga xhudo qysh para Lojërave Olimpike, porse ai e kishte bindur të vazhdonte e të përjetonte edhe një Olimpiadë. Kuka në Interaktiv ka thënë se po të mos ishin lëndimet atëherë Majlinda do të dominonte xhudon edhe 4-5 vjet.

“Faktikisht Majlinda është tërhequr shkaku i lëndimeve. Ka pasur dy-tri vitet e fundit lëndime të njëpasnjëshme, këto e kanë shtyrë me menduar edhe para Lojërave Olimpike që të mos garojë. Ajo ishte pak më këmbëngulëse, kam tentuar unë ta shtyjë ta përjetojë edhe një Olimpiadë. Mosha e saj dhe performanca e saj po të mos kishte lëndime, Majlinda do ta dominonte xhudon edhe 4-5 vjet”, ka thënë Kuka në Interaktiv të KTV-së. “Potenciali e mënyra se si ka bërë gara në sportin e xhudos është temë diskutimi në të gjitha federatat në botën e xhudos. Stërvitjet e saj kanë qenë të stilit spartan 4-8 orë në ditë”.

Kuka ka thënë se Majlinda ka bërë që xhudoja e femrave të ketë shikueshmëri të njëjtë me atë të meshkujve. Ai thotë se pa dal Majlinda në skenë nuk ishte ashtu.

Ai ka shtuar se për një trajner është e vështirë të shohë tërheqjen e një sportiste si Majlinda.

“Koha fluturon shumë shpejt. Ende më duket se e shoh si një fëmijë kur ka filluar të ecë në tatami të xhudos”, ka thënë Kuka.