Sport

Hernandez thotë se momenti më i keq në karrierë i erdhi pas kalimit te Bayerni

Fituesi i Kupës së Botës me Përfaqësuesen e Francës, mbrojtësi Lucas Hernandez, ka zbuluar të hënën se si transferimi i tij rekord te Bayern Munichu u shndërrua në një makth me lëndime të përsëritura dhe kërcënimin e një dënimi me burg në Spanjë. Mbrojtësi u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e Bundesligës kur iu bashkua Bayernit nga Atletico Madrid në vitin 2019 për 80 milionë euro. Por 25-vjeçari tha se një sërë lëndimesh e izoluan atë nga shokët e tij të skuadrës dhe ai gjithashtu duhej të merrej me problemet gjyqësore në Spanjë.

“Ato nuk ishin aspak vite të lehta. Isha i lënduar për një vit e gjysmë dhe ishte pa dyshim momenti më i keq i karrierës sime”, ka pranuar Hernandez. “Fillimisht mungova gjashtë muaj, më pas luajta dy muaj dhe pastaj pata përsëri katër muaj jashtë fushës. Kur nuk je me shokët e skuadrës çdo ditë dhe je shpesh vetëm, kjo të rëndon. Por tani që jam me ta ndihem mirë i integruar në ekip."

Në muajin tetor, Hernandez u paraqit para një gjykate të Madridit për shkeljen e një urdhërndalimi në vitin 2017, që e ndalonte të kontaktonte me partneren e tij pas një grindjeje të dhunshme mes çiftit, të cilët tani janë të martuar. Asnjëri nuk bëri një ankesë kundër tjetrit, por të dy u akuzuan nga prokurori publik i Spanjës. Hernandez iu shmang një dënimi pasi gjykata pranoi apelimin e lojtarit francez.

“Ka qenë një kohë shumë e vështirë për mua kur doli kjo histori. Gruaja ime ishte dhe është ende shtatzënë me fëmijën tonë të dytë. As gruaja ime dhe as unë nuk e kuptuam pse gjykata hapi këtë procedurë ndaj meje”, është shprehur Hernandez. “Ishte një incident që u kthye në vitin 2017, është e kaluara, e tashmja është që gruaja ime është shtatzënë, që unë e dua atë dhe ajo më do mua”.

Megjithatë, mbrojtësi pranoi se mungesat e detyruara e forcuan vendosmërinë e tij për të treguar vlerat si futbollist te Bayerni. 25-vjeçari këtë sezon është njëri prej lojtarëve kryesorë te skuadra bavareze dhe i pazëvendësueshëm në përbërjen e parë të trajnerit Julian Nagelsmann.

“Disa lojtarë kur lëndohen mendojnë të ndalojnë futbollin, për mua ishte pikërisht e kundërta. Sa më të mëdha që ishin vështirësitë, unë aq më shumë motivohesha për t’i kaluar ato dhe për t’u kthyer në fushë. Këto momente më bënë më të fortë mendërisht dhe më të pjekur nga pikëpamja e karakterit”, u shpreh Hernandez. “Kjo ka bërë që këtë edicion të jem i fortë në çdo aspekt dhe t’ia kompensojë ekipit mungesën time të gjatë në fushë. Do të bëjë të pamundurën që Bayerni këtë edicion t’i fitojë të gjithë trofetë e mundshëm”.

Hernandez këtë edicion ka 16 paraqitje për Bayernin në të gjitha garat, kurse me skuadrën gjermane ka kontratë deri në vitin 2024. Ai ka thënë se është i gatshëm për t’i nisur bisedimet me drejtuesit e klubit për ta vazhduar kontratën edhe për një periudhë më të gjatë, pasi dëshira e tij është që të jetë pjesë e Bayernit deri në fund të karrierës. Hernandez debutoi te Franca në vitin 2010 dhe deri më tani ka 30 paraqitje. Ai mund të luajë si mbrojtës krahu dhe qendërmbrojtës, ndërsa është vëllai i madh i Theo Hernandezit që është pjesë e ekipit nga Serie A, Milanit.