Sport

Largimi pa lënë gjurmë i një lojtari me karrierë të madhe

Më 22 shtator kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, prezantoi “bomberin”. Më 3 dhjetor skuadra e kaltër njoftoi për ndarjen me lojtarin prej të cilit ishte pritur vërtet shumë. “Bomberi”, Besart Berisha, nga Prishtina largohet pa “bombarduar” ndonjëherë. Pa shënuar ndonjë gol.

Një sulmues me karrierë të madhe ndahet me klubin me historinë më të pasur në vend, pa lënë ndonjë trashëgimi. Pa lënë shenjën e tij. Tri ndeshje të luajtura është kontributi i Berishës te Prishtina. Jo gola, jo asistime. Jo ndeshje të vendosura.

36-vjeçari debutoi dy muaj më parë, në ndeshje ndaj Dritës, ku nuk gjeti rrugën drejt portës. Atë nuk e gjeti as në dy paraqitjet e tjera që i kishte. Është përballur vazhdimisht me lëndime dhe ndarja erdhi shumë më herët se që pritej.

Parashikimet ishin të mëdha për Besin. Ai për kohë të gjatë është shquar për numrin e madh të golave që i ka realizuar në Australi. Mban rekordin për gola të shënuar në A-League të Australisë. Lista e rekordeve dhe të arriturave të tij në futbollin e Australisë është e gjatë. Por kthimin në Kosovë, Berisha përfundimisht e ka paramenduar ndryshe.

“Shumë i lumtur që i bashkohem ekipit të qytetit tim. Jam i lumtur që kthehem aty ku filloi çdo gjë”, kishte shkruar Besart Berisha më 22 shtator.

“Ishte fillim vërtetë i vështirë në klubin tim të ri. Lëndimet asnjëherë nuk vijnë në kohë të mirë, por po shpresoj që këtë fundjavë të kthehem në lojë dhe të ndihmojë ekipin”, ishte një postim i Berishës më 16 nëntor.

Por javët shkuan dhe Berisha nuk ishte asnjëherë në gjendjen më të mirë. Prishtina ndërkohë ndërroi trajnerin dhe po ashtu qasjen. Dhe erdhi edhe ndarja me sulmuesin, për të cilin kishte vlerësime se ka pagë goxha të lartë, për nivelin e Kosovës.

“Faleminderit Besart. Prishtina njofton se ka ndërprerë me marrëveshje të dyanshme kontratën me sulmuesin Besart Berisha. 36-vjeçari iu bashkua Prishtinës në fillim të shtatorit dhe firmosi kontratë deri në fund të edicionit. Ai me Prishtinën regjistroi vetëm tri paraqitje në Superligë. Berisha pritet që të largohet nga Kosova, andaj klubi e mirëkupton dhe i dëshiron shëndet e suksese”, shkruan në njoftimin e Prishtinës, të publikuar të premten mbrëma.

Nuk është kjo periudha e parë e pasuksesshme e Berishës në karrierë. Në vitin 2018 ai ishte transferuar në Japoni, te skuadra Sanfrecce Hiroshima. Kishte luajtur vetëm gjashtë ndeshje, pa shënuar gol. Para vendosjes në Australi, në vitin 2011, ai ka pasur periudha të pasuksesshme në disa vende evropiane. Por te Brisbane Roar dhe Melbourne Victory ka prekur kulmin. Ka fituar tituj e shumë trofe individualë. Ka shkruar faqe të lavdishme në historinë e futbollit të Australisë. Së fundi luajti te Western United, ku shënoi gola, por jo sa te dy skuadrat e para. Verën e kaluar nuk gjeti ekip të denjë në Australi dhe pranoi ofertën e Prishtinës.

Është çështje vlerësimi nëse vendimi ishte i drejtë. Por përfundimisht është pritur shumë më tepër nga një sulmues me të kaluar në dy përfaqësuese dhe që llogaritet ikonë futbolli në një kontinent.