Sport

Rekordmeni Ronaldo dëshmon se Rangnick mund të mbështetet tek ai

FOTO: AP
 

Ardhja e trajnerit Ralf Rangnick te Manchester Unitedi ka shkaktuar debat të madh për rolin e Cristiano Ronaldos në ekip. Mirëpo ylli portugez ia bëri me dije trajnerit gjerman se mund të mbështetet tek ai. E këtë Ronaldo e bëri para syve të Rangnickut në ndeshjen kundër Arsenalit. Nëse Ronaldo ndjeu nevojën për t'ia dërguar një mesazh trajnerit të tij të ri - pas të gjitha polemikave se ai nuk do të përshtatej në formacionin e tij - atëherë këtë e bëri duke shënuar dy gola ndaj Arsenalit për t’ia siguruar fitoren Unitedit me rezultatin 3:2.

Rangnick ishte në tribuna për ta parë ekipin e tij të ri, dhe ndërsa ka gjetur shumë probleme që duhet të korrigjohen, atëherë Ronaldo nuk do të jetë në mesin e tyre. Madje Rangnick u ngrit në këmbë për ta duartrokitur portugezin për golin e tij të 800-të, përkatësisht 801 në karrierë, ku vendosi rekord. Pavarësisht nëse ai bën presion të mjaftueshëm apo jo, Ronaldo pritet të konsiderohet si titullar i Rangnickut në çdo ndeshje.