Sport

Ancelotti thotë se Benzema nuk është aspak i mërzitur që nuk e fitoi “Topin e Artë”

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se sulmuesi Karim Benzema aspak nuk është i mërzitur që nuk e fitoi “Topin e Artë” për këtë vit.

Lionel Messi, i cili para fillimit të këtij sezoni iu bashkua Paris Saint-Germainit, e fitoi këtë çmim për herën e shtatë në karrierë. Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Copa America dhe gjatë këtij viti shënoi në total 40 gola, përfshirë 28 për skuadrën e Barcelonës.

Benzema përfundoi i katërti në renditjen për “Topin e Artë” pas Messit, Robert Lewandowskit dhe Jorginhos.

“Duhet ta respektojmë vendimin. Messi fitoi dhe ai ende është një lojtar i madh. Për lojtarët, çmimet individuale janë të rëndësishme sepse i motivojnë ata, por nëse nuk i fitojnë nuk ka rëndësi”, ka thënë Ancelotti të martën. “Benzema ka pasur një sezon fantastik dhe përfundoi i katërti, ndërsa tani ka një motiv shtesë për të përfunduar i pari në vitin e ardhshëm. Është çmim i rëndësishëm, por mbetet sërish individual. Benzema nuk po mërzitet që nuk e ka fituar, pasi këtë e ka pranuar pa ndonjë problem”.