Sport

Qeqa Krelani vlerëson se Messi e meritoi ta fitonte “Topin e Artë” bazuar në kontinuitetin e tij

Gazetarja e sportit Qeqa Krelani ka vlerësuar se legjenda e futbollit Lionel Messi me meritë e ka fituar “Topin e Artë”.

Krelani në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se duke u bazuar në kontinuitetin, Messi e ka merituar të fitojë. Ndërsa thotë se faktor determinues ka qenë triumfi në Copa America.

“Unë ndoshta veçohem prej gjithë asaj masës që po bëjnë zhurmë e po thonë se nuk është me meritë Topi i Artë i fituar nga Messi për herë të shtatë. Të them të drejtën ndryshe është kur për momentin je më i miri, e ndryshe kur çdo sezon je më i miri. Ka vdekur koha kur për ‘Topin e Artë’ shihen vetëm statistikat. Ka ndryshuar mënyra dhe formati. Topi i Artë nuk jepet në bazë të statistikave, por të kontinuitetit e lojës artistike e shumë golave të bukur që na dhuron Messi. Ndoshta viti 2020 ishte i Lewandowskit, por këtë vit e meritoi Messi. Si evropian ndoshta nuk e vlerësojmë shumë Kupën e Amerikës, por futbollistët latinë e konsiderojnë garë madhështore. Edhe vet Messi tha se triumfi në Copa America ishte faktor determinues”, tha Krelani.

Ndërkohë gazetari i sportit në KOHA, Florim Maliqaj, tha se sipas tij Jorginho ka merituar triumfin, ndërsa Messi është dashur të renditet i treti.

“Lewandowski kishte më tepër gola. Nga kjo treshe që ishte në finale, Messi sipas meje është dashur të renditet i treti. Jorginho e ka merituar të fitonte. Ai ka fituar Evropianin me Italinë, Ligën e Kampionëve me Chelsean, Superkupën e Evropës me Chelsean. Deri më tash gjithmonë statistikat e titujt kanë qenë vendimtare”, ka thënë Maliqaj.