Sport

Shkëlqimi i pritur i Arbnor Mujës te Drita

Me dy gola të Arbnor Mujës dhe nga një të Ilir Blakçorit e Ardit Tahirit, Drita e ka mposhtur Dukagjinin me rezultatin e thellë 4:0. Kjo ndeshje u zhvillua të hënën në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe ishte e fundit e javës së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Për Arbnor Mujën, që është kthyer nga lëndimi javën që shkoi, ishte hera e parë që shënoi me fanellën e Dritës. Për golat e tij është pritur gjatë në kampin gjilanas. Ai ishte prej përforcimeve më të mëdha të Dritës dhe në verë ishte shquar me paraqitje.

Muja tha se kjo ishte dita më e lumtur e jetës së tij. Pikërisht të hënën sulmuesi nga Mitrovica festoi ditëlindjen e 23-të.

“Kjo është dita më e lumtur e jetës sime. Ishte ditëlindja ime, kthimi nga lëndimi dhe fitorja. Është mirë që u rikthyem dhe me përkushtim maksimal duhet të vazhdojmë”, tha Muja.

Në verë Muja u transferua te Drita nga Trepça ’89. Ai pati paraqitje të mirë në garat evropiane, kurse më pas pësoi një lëndim që e la jashtë fushës për më shumë se dy muaj.

Rikthimit të Mujës i është gëzuar trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

“Çdo futbollist që kemi është i rëndësishëm për ekipin. Arbnori ka pasur lëndim dhe tani e kemi një armë shtesë. Por të gjithë janë të rëndësishëm për ekipin. Vazhdojmë kështu”, deklaroi Nuhiu.

Golin e parë kundër Dukagjinit, Arbnor Muja e shënoi në minutën e nëntë. Ai u gjend mirë në zonë duke shënuar pas harkimit të Almir Ajzerajt. Nga minuta e 40-të, Dukagjini mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi u përjashtua me karton të kuq Altin Merlaku, i cili ndërhyri në Ardian Limanin. Drita ka mundur të shkojë në pushim me epërsinë e dy golave, por Almir Ajzeraj nuk ia doli që të shënojë nga penalltia në fund të pjesës së parë. Goditjen e tij e priti portieri Kenan Haxhihamza. Ndërkaq golin e dytë Arbnor Muja e realizoi në minutën e 66-të. Ai u asistua nga Albin Krasniqi.

Gjashtë minuta para fundit të ndeshjes, mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, shënoi golin e tretë. Kurse në kohën shtesë, Ardit Tahiri vulosi triumfin e thellë të “Intelektualëve”, duke realizuar golin e katërt.

Trajneri Nuhiu mendon se fitorja ka qenë e merituar. Ai është gëzuar shumë që skuadra ka reaguar dhe ka treguar karakter.

“Ishte e rëndësishme të kthehemi. Djemtë treguan karakter. Rruga vazhdon. Kemi edhe pengesa gjatë rrugës. Më gëzon fakti se si fituam. Të fitojmë kaq thellë kundër Dukagjinit nuk është e lehtë. Përveçqë më gëzon fakti për fitore, më gëzon që nuk e lejuam kundërshtarin të na rrezikojë. Ishte fitore e merituar”, tha Nuhiu.

Ndërkaq trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, kritikoi ashpër gjyqtarët. Sipas tij, ekipi nga Klina është dëmtuar shumë. Dallku mendon se VAR-i po shikohet se si po u përshtatet disa klubeve.

“Në këtë ndeshje kishte gjithçka kundër nesh. Gjyqtarët nuk kanë guximin të shkojnë dhe të shohin në VAR rastet diskutabile. Kemi gjashtë kartonë të kuq kundër, gjashtë penallti kundër dhe zero penallti në favorin tonë. Jemi ekipi larg më i dëmtuar në të gjitha sferat. Duhet të këtë kujdes, nuk po kërkoj të na falin, por të kenë guximin që të paktën ta shohin VAR-in këta gjyqtarë. Nuk e kuptoj se si po funksionin, po funksionin sipas qejfit”, ka thënë Dallku. “Sa i përket lojës, fusha ka qenë e rënduar dhe rezultati është i thellë me një lojtar më pak. Por është më tepër dëshpërim. Lojtarët po më thonë se është e vështirë të gjejmë motivim me këta njerëz. Është e dhimbshme dhe kemi rezerva në këta njerëz. Tash kemi VAR-in, por sipas asaj që po shohim po funksiononin sipas qejfit, për dikë nënë e për dikë njerkë. Jo humbje me meritë, por me ndihmë”.

Me 28 pikë, Drita renditet në pozitën e tretë. Ka dy pikë më pak se Ballkani që është në vendin e parë dhe një më pak se Gjilani që renditet i dyti. Ndërkaq Dukagjini është i nënti me 16 pikë.