Sport

Pasi rrëzoi Borcin, Besa Famgas kërkon suksesin edhe ndaj ish-kampionit

Në Kosovë e kishte nisur rrugëtimin skuadra e madhe rumune Potaissa Turda, në edicionin 2017/18 të Challenge Cup në hendboll. Më 25 nëntor të vitit 2017, Turda e kishte mposhtur Trepçën në Mitrovicë me rezultatin 35:19. Ndeshjen e dytë, të luajtur më 26 nëntor, Turda e kishte fituar me shifrat 40:30.

Potaissa Turda atë edicion i eliminoi edhe katër kundërshtarë të tjerë dhe e fitoi titullin e kampionit në Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane për klube të hendbollit.

Challenge Cup është zëvendësuar tashmë me Kupën Evropiane, që vazhdon të jetë niveli i tretë, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane. Dhe Turda e nis rrugëtimin në këtë garë në edicionin 2021/2022, sërish në Kosovë.

Është kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas që të dielën e pret Turdan në ndeshjen e parë të rundit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshja luhet prej orës 18:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Ndeshja e kthimit është më 5 dhjetor në Turda të Rumanisë. Skuadra rumune e nis garimin prej rundit të tretë, ndërsa Besa Famgas ka kaluar një kundërshtar tashmë. Skuadra pejane në rundin e dytë e eliminoi Borcin e Banjallukës. Ndeshjen e parë në Banjallukë, skuadra vendase e fitoi me shifrat 28:25. Kishte pasur thirrje antishqiptare në atë takim. Në revansh, në Pejë, Besa Famgas fitoi me shifrat 29:22 dhe avancoi tutje. Ishte një ndeshje festive.

Tani në një datë festive, në Ditën e Flamurit, pejanët shpresojnë edhe për një sukses, ndonëse janë të vetëdijshëm që përballë kanë një skuadër të nivelit të lartë.

“Të dielën takohemi me skuadrën nga Rumania, Potaissa Turda. Është një kundërshtar i fortë. Ka kohë që jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe jemi të kompletuar. Për dallim nga ndeshja e fundit me Borcin, kemi edhe një lojtar më shumë. E kemi kthyer lojtarin spanjoll Victor Alonso, që ishte me ne kampionatin e kaluar. Me Alonson jemi përforcuar në sulm e në mbrojtje”, ka thënë trajneri i Besa Famgas, Arben Muqolli.

Besa që nga viti 2005 paraqitet në gara evropiane. Asnjëherë nuk ka kaluar dy kundërshtarë evropianë në një edicion.

“Kemi informata të mjaftueshme për kundërshtarin. E dimë se na duhet një rezultati i mirë që të shkojmë më komod në Rumani. Shpresoj që lojtarët do ta kenë një ditë të mirë si në ndeshjen ndaj Borcit dhe shpresoj për një tifozëri të mrekullueshme, siç ishte në ndeshjen e kaluar evropiane. Shpresojmë që numri të jetë edhe më i madh i shikuesve dhe besojmë në fitore”, ka shtuar Muqolli.

Besa Famgas dominon plotësisht hendbollin kosovar. I mbledh të gjitha trofetë, por ka telashe në skenën evropiane. Ndaj Turdas shumë do të varet nga forma e veteranit nga Bosnjë-Hercegovina, Nikola Prce. Por edhe nga paraqitja e reprezentuesve të Kosovës, Deniz Terziqi, Kastriot Jupa e Egzon Gjuka si dhe e portierit Mursel Mehmeti. Ndërkohë, majtaku Alonso ofron zgjidhje shtesë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.