Sport

Reali nuk shqetësohet për dënimin e Benzemas, mbështetet te francezi

Karim Benzema dhe skuadrat që e punësojnë atë duken të pakënaqur nga vendimi që e shpalli sulmuesin fajtor për pjesëmarrjen në komplotin e shantazhit të videos me përmbajtje seksuale kundër një ish-bashkëlojtari në Francë. Disa orë pas dënimit nga një gjykatë në Paris të mërkurën, Benzema ndihmoi Real Madridin të fitonte një vend në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve për sezonin e 25-të radhazi pas triumfit 3:0 në Moldavi ndaj Sheriff Tiraspolit. Benzema duhet të rikthehet sërish në aksion të dielën, kur Madridi e pret Sevillan në një përballje të dy prej skuadrave të forta në ligën spanjolle.

Benzema, i cili mohoi çdo keqbërje, u shpall fajtor për përfshirje në një përpjekje për të shantazhuar Mathieu Valbuenan në 2015 për një video seksuale që mendohej se ishte vjedhur nga telefoni celular i Valbuenas. Por dënimi me një vit i Benzemas u pezullua, që do të thotë se ai nuk do të shkojë në burg.

Në fakt, ai u dënua me një vit burgim me kusht dhe gjobë prej 75 mijë eurosh. Reputacioni i tij pa dyshim është dëmtuar nga vendimi i fajësisë, por karriera e tij e futbollistit për klubin dhe përfaqësuesen duket të jetë e paprekur - për momentin. Benzema nuk foli pas fitores së Madridit në Tiraspol dhe trajneri Carlo Ancelotti të enjten për mediumet spanjolle tha se edhe ai nuk e kishte ngritur çështjen me sulmuesin e tij.

“Ne nuk kemi folur, por ai është i qetë”, tha Ancelotti. “Është diçka për të cilën është folur kohë më parë. Lojtari është plotësisht i fokusuar në punën e tij. Ai duket i qetë dhe duhet të vazhdojë me paraqitje të mira”.

Në moshën 33-vjeçare, Benzema është thelbësor për Madridin. Pasi u kritikua në kryeqytetin spanjoll për mospërdorimin maksimal të talentit të tij, ai ka dalë nga hija e Cristiano Ronaldos për t'u bërë një nga golashënuesit më të besueshëm të Evropës. Goli i tij kundër Sherifit ishte i 15-t për Madridin këtë sezon, duke përfshirë 12 gola në ligën spanjolle. Kjo formë e mirë e Benzemas vjen pas sezonit të kaluar, në të cilin realizoi 30 gola.

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e vuri re në muajin maj kur kujtoi ta rikthente Benzeman në prag të Kampionatit Evropian, pasi e kishte përjashtuar atë për gati gjashtë vjet për shkak të rastit të videos seksuale. Ndërkohë, kreu i Federatës së Futbollit të Francës insistoi se pavarësisht dënimit, Benzema do të mbetet pjesë e përfaqësueses franceze.

“Sa i përket federatës, nuk ka asnjë ndryshim”, tha presidenti Noel Le Graet. “Ky sanksion nuk ndryshon asgjë për mua. Ai mund të ftohet për Francën. Ai ka të drejtë të luajë. Çdokush mund të bëjë një gabim, të marrë një dënim me kusht dhe të kthehet në punë”.

Benzema nuk ka zhgënjyer që nga kthimi i tij te Franca. Ai shënoi katër gola në katër ndeshje në “Euro 2020”. Ai ndihmoi Francën të fitonte Ligën e Kombeve muajin e kaluar, duke shënuar në gjysmëfinale kundër Belgjikës dhe në finale kundër Spanjës, si dhe vulosi vendin e saj në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm. Benzema do të jetë ndër favoritët për të fituar “Topin e Artë” më 29 nëntor në Paris. Një natë para mbrëmjes gala, Benzema do ta udhëheqë Madridin kundër Sevillas. Real Madridi është lider në La Liga, me vetëm dy pikë më shumë se Sevilla që zë vendin e tretë.