Sport

Tottenhami turpërohet në udhëtim te Mura

Tottenhami e ka mbyllur një prej ndeshjeve më turpëruese në historinë 139-vjeçare të klubit.

Anglezët që luajtën me 10-të lojtarë në fushë prej minutës së 32-të, u mposhtën në udhëtim te Mura me rezultatin 2:1.

Sllovenët e Muras golin e parë e shënuan në minutën e 11-të nëpërmjet Tomi Horvat.

Ryan Sessegnon u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 32-të.

Shpresë vizitorëve u dha Harry Kane në minutën e 72-të kur shënoi pas asistimit të Lucas Mouras, por turpërimi erdhi në fund të duelit.

Amadej Marosha e devijoi një top në prekjen e fundit në ndeshje dhe e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Pierluigi Gollini.

Rennes prinë në Grupin G me 11 pikë. Vitesse që barazoi me skuadrën franceze ka shtatë pikë në vendin e dytë dhe goldallim më të mirë se Tottenhami i vendit të tretë me shtatë pikë po ashtu.

Mura është e fundit me tri pikë.