2 perditesime
18:06

Kosova pëson ndaj Polonisë, por pati rastet e saj

Futbollistet e Kosovës pësuan disfatë nga Polonia me rezultatin 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, “Dardanet” patën rastet e saja në ndeshjen kualifikuese për Botërorin e vitit 2023 që u zhvillua të enjten.

Madje, në minutën e 89-të, Erëleta Memeti pati rast shënimi për të barazuar rezultatin, por u dështoi përballë portieres polake. Kosova kaloi në epërsi me golin e Liridona Sylës në minutën e 4-të, por Polonia më pas shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë për ta mbyllur ndeshjen me rezultatin 2:1.

Golin e barazimit në 1:1 e shënoi Karolina Gec në minutën e 18-të, ndërsa në minutën e 35-të realizoi Martyna Wiankowska.

Kosova zë vendin e parafundit pas pesë ndeshjeve të zhvilluara me katër pikë, sa ka edhe Shqipëria me një ndeshje më pak. Ndaj Shqipërisë, Kosova në Prishtina luan më 30 nëntor.

Polonia zë vendin e parë me 11 pikë, ndërsa një pozitë më poshtë edhe Norvegjia me 10 pikë. Belgjika është në vendin e tretë me shtatë pikë. Armenia zë vendin e fundit me zero pikë.

17:01

Kosova në disavantazh pas pjesës së parë

Përkundër që shënoi gol në fillim të takimit, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, është në disavantazh ndaj Polonisë pas pjesës së parë.

45 minutat e para të duelit që po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kanë përfunduar me rezultatin 2:1 në favor të Polonisë.

Pas golit të Liridona Sylës (4’), ka reaguar Polonia që e ka rikthyer rezultatin me golat e realizuar nga Karolina Gec (18’) e Martyna Wiankowska (35’).

Kjo ndeshje i takon kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023 dhe zhvillohet në kuadër të Grupit F.

16:09

Kosova në epërsi ndaj Polonisë

Futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës kanë kaluar në epërsi ndaj polakeve.

Golin e epërsisë e shënoi Liridona Syla me kokë në minutën e 4-t.

Ndeshja në mes të Kosovës dhe Polonisë është duke u zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2023.