Sport

“Ky është diskriminim”: Sfidat e të qenit sportist nga Kosova

Shumë sportistë kosovarë janë të famshëm në botë dhe fitojnë gara ndërkombëtare, por politika mund t’i ndalë ata të jenë pjesëmarrës në ngjarje sportive. Të tilla pengesa kanë pasur efekt të madh në aspiratat e tyre, në karrierën dhe fitoren potenciale. Boksieri amator nga Kosova, 19-vjeçari Bashkim Bajoku, i ka fituar pesë ngjarje nacionale të boksit në vend dhe dy të tjera në Shqipëri. Në muajin maj në Zagreb të Kroacisë ai po ashtu e fitoi Kampionatin Ballkanik të Boksit në kategorinë deri 52 kilogramë. Por asnjëra prej këtyre arritjeve nuk kishin rëndësi kur ai u përpoq të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit amator në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në fund të muajit tetor. Kishte rëndësi vetëm fakti se ai vinte nga Kosova. Bajoku ishte vetëm njëri prej tre boksierëve kosovarë, të cilët u kthyen mbrapsht në kufirin e Serbisë për shkak të mbajtjes së simboleve shtetërore në uniformën e tyre, e cila ua mohoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje.

“Kjo është e padrejtë”, ka thënë kampioni ballkanik. “Si sportistë jemi shumë të dëshpëruar, sepse kishim stërvitur shumë për atë ngjarje dhe kjo bllokadë ka efekt negativ në pjesëmarrjen potenciale tonën në Lojërat Olimpike në vitin 2024”.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që sportistët kosovarë janë penguar vetëm për arsyen se prej nga vijnë.

Rregullat e shoqatave sportive kundër rregullave nacionale

Kosova zyrtarisht e shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, afër një dekadë pas nisjes së luftës dyvjeçare në Kosovë dhe afër tetë vjet nën administrimin e Kombeve të Bashkuara (UN). Por, sovraniteti i Kosovës njihet nga vetëm pak më shumë se 50 për qind të anëtarëve të UN-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë shtete të Bashkimit Evropian. Në mesin e atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës si shtet janë: Serbia, Rusia dhe Kina. Në sport shoqatat ndërkombëtare të sportit, përfshirë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe shoqatën botërore të futbollit FIFA e njohin Kosovën si anëtare me të drejta të plota. Por, për shkak se ngjarjet sportive ndërkombëtare ndonjëherë organizohen nga shtete që nuk e njohin Kosovën, marrëdhëniet diplomatike mund të ndërhyjnë te sportistët e vendeve nga ata marrin pjesë. Rregulloret e udhëtimeve të shteteve që nuk e njohin Kosovën shpesh bien ndesh me rregullat e shoqatave sportive ndërkombëtare. Organet drejtuese sportive ua garantojnë të gjithë anëtarëve pjesëmarrjen e drejtë dhe të barabartë në çdo ngjarje, por nëse sportistët nga Kosova dëshirojnë ta përfaqësojnë vendin e tyre në ngjarje të organizuara nga shtetet që nuk e njohin Kosovën, ata shpesh hasin në vështirësi.

“Kur ata na bllokojnë neve si sportistë, ne humbim mundësi të mëdha për ta zhvilluar karrierën tonë ndërkombëtare”, ka thënë Bajoku. “Kjo është shumë dëshpëruese, por ne nuk do të dorëzohemi”.

“Ky është diskriminim”

Eksperienca e Bajokut dhe boksierëve të tjerë kosovarë në kufirin e Serbisë në tetor nuk është i panjohur. Redona Gashi, karateiste 18-vjeçare, ka përjetuar diçka të ngjashme këtë vit kur ekipi i saj dëshironte të merrte pjesë në një garë në Qipro, shtet tjetër që nuk e njeh Kosovën. Qiproja u garantoi Gashit dhe anëtarëve tjerë të skuadrës që të marrin pjesë në garë. Por, ekipi asnjëherë nuk arriti në Qipro, sepse Greqia, shteti nëpër të cilin duhej të udhëtonin, ua mohoi hyrjen.

“Kemi pasur shumë probleme. Gjithmonë kemi probleme politike, por natyrisht se kemi vështirësi edhe të marrim viza”, ka thënë Gashi. “Ky është një diskriminim ndaj nesh”.

Politikat e shteteve që nuk njohin shtete të tjera janë jokonsistente. Spanja, për shembull, i lejon sportistët nga Kosova të marrin pjesë në ngjarje sportive vetëm nëse ata nuk i shfaqin simbolet e tyre. Shtete të tjera si India nuk i lejojnë fare të marrin pjesë, duke refuzuar vizat për sportistët kosovarë. Kjo i ndodhi Donjeta Sadikut, boksieres kosovare që në vitin 2018 u desh të garonte në Kampionatin Botëror të Boksit në Indi, por nuk iu lëshua viza. Jo vetëm që kjo çështje është zhgënjyese për sportistët dhe ka efekt negativ në zhvillimin sportiv, por ka edhe ndikim negativ financiar.

Thirrja për mundësi të barabartë

Në rastin e Bajokut dhe të boksierëve kosovarë shteti u ankua në AIBA, trupin qeverisës të boksit në botë. AIBA u mundua të arrijë kompromis që do ta lejonte ekipin kosovar të merrte pjesë pa i shfaqur simbolet shtetërore. Por, kjo zgjidhje ishte e papranueshme për Kosovën, madje edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ngriti zërin e refuzimit për t’i pranuar kushtet e tilla. AIBA lëshoi një komunikatë pas incidentit, në të cilin sërish kërkoi nga shtetet t’i respektojnë rregullat e trupit qeverisës duke thënë se sporti duhet të ndihmojë në thyerjen e barrierave. Me gjithë kërkesën për një koment nga zyrtarë serbë dhe shoqatat e tyre sportive për këtë çështje, nuk është marrë asnjë përgjigje. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Aliti, ka thënë se ai nuk mund të bëjë më shumë sesa të protestojë dhe të ngrejë çështjen e këtij trajtimi jo të drejtë.

“Fillimisht është e rëndësishme të reagojmë dhe është e rëndësishme ta ngremë zërin për mundësi të barabarta”, ka thënë Aliti. “Për KOK-un, çelësi është që ta distancojmë veten nga politika, sepse ne nuk jemi këtu për të gjetur marrëveshje bilaterale në mes të dy shteteve. Për ne është e rëndësishme t’i mbrojmë të drejtat e sportistëve”.