Sport

Pesë gjërat me të cilat duhet të merret trajneri i ri i Barcelonës

Krerët e Barcelonës po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt emërimit të Xavi Hernandezit për trajner të ekipit, pas shkarkimit të Ronald Koemanit.

Të mërkurën mbrëma Koeman u shkarkua, ndërsa të enjten Barcelona emëroi trajner të përkohshëm Sergi Barjuanin, që ishte në krye të ekipit B. Sergi pritet të jetë trajner i ekipit të parë deri në zyrtarizimin e Xavit, që sipas mediumeve spanjolle pritet të bëhet javën e ardhshme.

Një disfatë 1:0 nga Rayo Vallecano në ndeshjen e fundit, të mërkurën, e la Barçën në vendin e nëntë në La Liga, gjashtë pikë larg vendit të katërt në tabelë. Barça fitoi vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit në ligë.

Xavi, ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, i cili fitoi tetë tituj në La Liga dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve, u largua në vitin 2015 për në Katar te Al-Saddi, ku ka qenë trajner që nga viti 2019. Nëse Xavi e merr drejtimin e Barçës, që pritet, ai i ka pesë çështje të rëndësishme me të cilat duhet të merret kur ta fillojë punën në “Camp Nou”.

Zvogëlimi i diferencës me katër vendet e para

Situata e rëndë financiare e Barcelonës do të thotë se klubi thjesht nuk mund të përballojë të mos kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Klubi është 1.35 miliardë euro në borxhe dhe çdo përpjekje për t’u rindërtuar si financiarisht ashtu edhe në fushë do të varet nga pjesëmarrja në garën elitare të Evropës në sezonin 2022/23. Situata mund të përmirësohet me ardhjen e trajnerit të ri, me diferencën vetëm gjashtë pikë mes Barçës në vendin e nëntë dhe skuadrës në vendin e katërt. Por nuk mund të ketë vend për vetëkënaqësi, duke pasur parasysh formën e disa skuadrave në La Liga që po e sfidojnë kreun e tabelës këtë edicion.

Kualifikimi në fazën e nokautit të Championsit

Fitorja 1:0 në shtëpi ndaj Dynamo Kievit javën e shkuar ka ringjallur shpresat e Barcelonës se mund ta kalojë fazën e grupeve këtë edicion në Ligën e Kampionëve pas startit të dobët. Në fakt, Barcelona pësoi dy humbje në dy ndeshjet e para të grupit. Pësoi rezultatin 3:0 si nga Bayerni ashtu edhe nga Benfica. Mirëpo për të avancuar përtej fazës së grupeve, Barcelona ka edhe shumë punë për të bërë. Duhet t’i luajë edhe tri ndeshje, dy në udhëtim te Dynamo e Bayerni dhe atë në “Camp Nou” kundër Benficas. Kalimi i suksesshëm i fazës së grupeve pas startit të dobët nën drejtimin e Koemanit do t’i jepte trajnerit pak kredibiltet, pasi klubi do të fitonte 9.6 milionë euro nga UEFA për kualifikimin në fazën e nokautit të Championsit.

Përmirësimi i stilit të lojës

Një prej kritikave më të mëdha për Koemanin ishte stili i tij i lojës që e aplikonte te Barcelona, pasi ekipi nuk kishte aspak kreativitet në fushë dhe asnjë plan të qartë. Barcelona aktualisht mund të mos ketë në ekip lojtarët si Xavi, Andres Iniesta apo Lionel Messi, por trajneri i ri mund të përmirësojë stilin e lojës. Prej trajnerit të ri pritet që Barcelona të jetë më atraktive në fushë në secilin aspekt. Duhet të kthehet posedimi i topit dhe një lojë moderne për t’i kthyer tifozët në tribuna, të cilët tashmë e kanë humbur besimin tek ekipi i tyre. Me ardhjen e trajnerit të ri dhe përmirësimin e lojës, gjërat mund të ndryshojnë në shumë drejtime.

Besimi te të rinjtë

Një nga arritjet më të mëdha të Koemanit te Barcelona ishte promovimi i një grupi të lojtarëve të rinj të talentuar dhe sfida e trajnerit të ri do të jetë shfrytëzimi maksimal i potencialit të tyre. Ansu Fati dhe Pedri janë shpresat e mëdha për të ardhmen, por lojtarë si Ronald Araujo, Sergino Dest, Gavi, Nico Gonzalez dhe Alex Balde gjithashtu janë shumë premtues dhe kanë nevojë për zhvillim të mëtejmë.

Nëse ata mund të lulëzojnë përkrah lojtarëve më me përvojë si Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, e ardhmja e të cilëve gjithashtu duhet të menaxhohet, Barça mund të ketë një ekip emocionues për të ardhmen.

Të harrohet Messi

Transferimi i Lionel Messit te Paris Saint-Germaini në muajin gusht ka lënë një hapësirë gjigante te Barcelona. Mungesa e tij ka ekspozuar boshllëqet që argjentinasi i mbuloi për kaq shumë kohë.

Skuadra këtë edicion ka luftuar për të shënuar gola, me Memphis Depayn të paqëndrueshëm dhe Luuk de Jongun jashtë formës së tij, por gjithashtu ka pasur edhe mungesë besimi. Koeman vazhdimisht kërkonte pritshmëri reale, por tifozët prisnin më shumë prej një ekipi që nuk ishte aq efektiv në sulm. Barça mund të mos jetë në gjendje të përballojë një transferim të madh si Kylian Mbappe për të mbushur boshllëkun, por tani për tani lojtarët thjesht duket se kanë nevojë për njëfarë besimi. E besimi pritet të vijë me trajnerin e ri, sipas të gjitha gjasave Xavi Hernandezin, që e njeh ambientin më mirë se kushdo tjetër.