Sahiti nuk po mendon për ofertat, por ta ndihmojë Hajdukun për titull

Emir Sahiti ka pranuar se ka oferta nga klubet e tjera, por nuk e ka ndërmend të largohet nga Hajduku i Splitit të paktën deri në fund të këtij sezoni. Ai është i vendosur ta ndihmojë Hajdukun për ta rikthyer titullin e kampionit të Kroacisë, sukses ky që i mungon prej vitit 2005. Sahiti beson se Hajduku mund të shpallet kampion këtë edicion, pasi insiston se ka ekip të mirë. Aktualisht, Hajduku është i katërti në Superligën e Kroacisë me 21 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Rijeka që prin në tabelë dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Sahiti 22-vjeçar ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime në 16 paraqitje në të gjitha garat për Hajdukun, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.
“Po ka disa klube të interesuara për mua, por unë jam i fokusuar te Hajduku dhe dua ta ndihmoj për ta fituar titullin e kampionit, pasi kemi një ekip shumë të mirë. Kështu që unë po mendoj vetëm për të arritur synimet me Hajdukun, kurse sa u përket ofertave dhe gjërave të tjera, me ato merret menaxheri im”, ka thënë Sahiti. “Jam në formë të mirë dhe ndihem krenar që jam pjesë e klubit më të madh në Kroaci, me të cilin kam kontratë edhe për disa vite, por futbollit nuk i dihet asnjëherë”.
