Sport

AIBA në telashe, shkak mospjesëmarrja e boksierëve kosovarë në Botërorin në Beograd

E ardhmja e boksit si një sport olimpik mbetet nën kërcënim edhe më të madh pas acarimit të mëtejmë të marrëdhënieve mes Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA). IOC-ja ia kishte hequr të drejtën AIBA-s për ta organizuar turneun olimpik të boksit në Lojërat Olimpike të Tokios që u mbajtën këtë vit, ndërsa gjasat janë të mëdha që ky pezullim të mbetet në fuqi edhe për Olimpiadën e vitit 2024 që mbahet në Paris.

E shkak për këtë është bërë Kosova, saktësisht boksierët kosovarë që nuk janë lejuar të futen në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit që po mbahet në Beograd. Mosparaqitja e boksierëve të Kosovës, të cilët tri herë tentuan të futen në Serbi, por nuk u lejuan të kalonin kufirin, ka bërë që IOC-ja, ta fajësojë AIBA-n për mbetjen e boksierëve të Kosovës jashtë Botërorit.

Mediumet e huaja kanë raportuar të mërkurën se tashmë ka shpërthyer një grindje e re mes IOC-së dhe AIBA-s pas refuzimit të Serbisë për të lejuar boksierët kosovarë të garojnë në botëror. AIBA është e pezulluar nga IOC-ja që nga viti 2019 për shumë çështje, ndërsa kjo e fundit vetëm se ka përkeqësuar edhe më shumë situatën dhe raportet midis tyre. Një zyrtar i IOC-së në kushte anonimiteti ka thënë që gjasat janë të mëdha që AIBA-s t’i vazhdohet suspendimi apo të përjashtohet boksi nga Lojërat Olimpike. IOC-ja thuhet se e ka qortuar AIBA-n për injorimin e këshillës, për të mos ia dhënë Serbisë organizimin e Kampionatit Botëror. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e kishte fajësuar AIBA-n, në lidhje me diskriminimin që i është bërë Kosovës.

“Duket se AIBA nuk e ka pasur kujdesin e nevojshëm para se t’ia ndante këtë turne Beogradit, pavarësisht faktit se IOC-ja i ka këshilluar vazhdimisht federatat ndërkombëtare për domosdoshmërinë e një kujdesi të tillë”, thuhej në komunikatën e lëshuar ditë më parë nga IOC-ja, që pritet së shpejti të marrë masa të reja ndaj AIBA-s. “Ky incident, i cili është i dëmshëm për sportistët e Kosovës, rrit shqetësimet e rënda që IOC-ja ka në lidhje me qeverisjen e kësaj federate ndërkombëtare të suspenduar”.

Të hënën Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) lëshoi komunikatë për media, ku fajësoi Komitetin Organizativ lokal për mbetjen jashtë të delegacionit të Kosovës. AIBA tha se ka bërë të gjitha përpjekjet për të mundësuar që Kosova të jetë në Botëror, porse për këtë nuk ka pasur gatishmëri nga Qeveria e Serbisë dhe Komiteti Organizativ Lokal. Ndërkohë AIBA ka thënë se Federata e Boksit e Kosovës ka qenë shumë bashkëpunuese. Megjithatë, AIBA nuk ka paralajmëruar për ndonjë masë ndaj Serbisë.

“AIBA është e pikëlluar për situatën politike që ka penguar Federatën e Boksit të Kosovës të marrë pjesë në Kampionatin Botëror. AIBA beson se sporti duhet të kapërcejë politikën dhe të ndihmojë në thyerjen e barrierave”, kishte shkruar ndër të tjera AIBA në komunikatën e saj në lidhje me çështjen e boksierëve të Kosovës.

Kosova është që nga viti 2014 pjesë e IOC-së dhe e AIBA-s.