Sport

Messi po ka telashe në Ligue 1

Foto: AP
 

Ylli argjentinas Lionel Messi, që iu bashkua me bujë të madhe skuadrës së Paris Saint-Germanit, ende nuk ka shënuar gol në Ligue 1, përcjell CNN të martën. Kjo shterpësi e bën Messin ta përsërisë rekordin e sezonit 2005/06, kur ai ende ishte fillestar te Barcelona. Messi nuk arriti të shënonte gol në ndeshjen e fundit të PSG-së, derbin kundër Marseillet që u mbyll pa gola të dielën e shkuar.

Kjo do të thotë se Messi nuk ka realizuar gol në katër ndeshje kampionale, sa i ka luajtur deri më tani për ekipin nga kryeqyteti francez. Në fakt, ky është starti më i dobët i Messit gjatë karrierës së tij 16-vjeçare. Herën e fundit që Messi dështoi në ligën vendase të realizojë gol në fillim ishte në sezonin 2005/2006, kur iu deshën atij gjashtë ndeshje për të shënuar golin e tij të parë. Në atë kohë Messi sapo kishte pasur një sezon të plotë me statusin e lojtarit të rëndësishëm te Barcelona. Në sezonin paraprak Messi kishte bërë debutimin e tij, por nuk ishte përfshirë në skuadrën kryesore të Barcelonës. E sipas mediumeve franceze, fajin kryesor për këtë e ka trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, i cili ende nuk ka arritur ta gjejë pozitën e duhur për Messin. Ky i fundit te PSG-ja kryesisht po luan në krahun e djathtë dhe nuk po mund të jetë produktiv siç ishte te Barcelona, me gjithë që është pjesë e një sulmi të frikshëm që përbëhet edhe nga Kylian Mbappe e Neymar.