Pas tri fitoreve të njëpasnjëshme në Bundesligë, Bayer Leverkuseni nuk ka pasur ndonjë moment tjetër më të mirë për t’u ballafaquar me Bayern Munichun të dielën në orën 15:30, në duelin e dy skuadrave të para në tabelë.
Leverkuseni ka qenë i shkëlqyer në këtë sezon, duke treguar vazhdimësi në lojë të mirë e sulm të paparashikueshëm nën drejtimin e trajnerit zviceran Gerardo Seoane.
Pjesë e Leverkusenit është 18-vjeçari Florian Wirtz, që ka pasur nisje të jashtëzakonshme të edicionit me pesë asistime e katër gola të shënuar.
Leverkuseni ka shënuar 20 gola në shtatë ndeshjet e para të Bundesligës dhe e ka sulmin e dytë më të mirë në ligë, pas Bayern Munichut që ka shënuar katër gola më shumë.
Patrik Schick mbetet golashënuesi më i mirë i skuadrës me gjashtë gola.
Bayerni nga ana tjetër është duke e synuar edhe titullin e 10 rresht në Bundesligë. Me Leverkusenin i ndajnë pozitat një dhe dy, me nga 16 pikë.
Në ndeshjen e fundit humbi 2:1 nga Eintracht Frankfurti.
Pritet të jetë duel me intensitet të lartë, por që bavarezët mund të llogariten favorit nëse shikohen ndeshjet e ndërsjella.
Bayern Munichu i ka fituar katër ballafaqimet e fundit duke shënuar të paktën nga dy gola në secilën ndeshje. Tri triumfet e fundit kanë ardhur në udhëtim.
Kandidati tjetër për titull kampioni sivjet, Borussia Dortmundi, do të luajë në shtëpi të shtunën në orën 15:30 përballë Mainzit.
Sulmuesi i Dortmundit, Erling Haaland, është golashënuesi më i mirë i ligës aktualisht bashkë me Robert Lewandowskin me nga shtatë gola. Por norvegjezi nuk ka shënuar në tri ballafaqimet e fundit kundër Mainzit.