Sport

Lazio-Inter e Juventus-Roma, supersfidat e Serie A

Kampionati i elitës së futbollit italian rikthehet me dy sfida tejet të forta. Lazio e pret kampionin në fuqi Interin të shtunën në orën 18:00 dhe Juventusi ballafaqohet me Romën të dielën në orën 20:45.

Pas shtatë xhirove në Serie A, dominues ka qenë skuadra e Napolit, ku luan kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e që pritet të ketë minutazhë edhe në fundjavë kundër Torinos.

Në duelin Lazio-Inter do të jetë një rikthim në “Olimpico” për trajnerin e “nerazzurrëve”, Simone Inzaghi, i cili u bë pasues i Antonio Contes. Do të jetë test shumë i rëndësishëm për lacialët, që humbën 3:0 kundër Bolognas në raundin e fundit.

Interi në edicionin e sivjetmë pas shtatë xhiros renditet në vendin e tretë me 17 pikë, katër më pak se Napoli lider. Nga ana tjetër, Lazio është në pozitën e gjashtë me 11 pikë.

Jose Mourinho me Romën po përgatitet që të rikthehet në “Allianz Stadium”. Para tre vjetësh, Mourinho ishte trajner i “djajve të kuq” dhe fitoi 2:1. Madje në fundin e ndeshjes, ai edhe i provokoi tifozët e Juventusit.

Janë 174 ndeshje që janë zhvilluar ndërmjet Juventusit dhe Romës në Serie A. 83 fitore i ka Juventusi, 50 barazime, ndërsa 41 fitore i ka shënuar Roma.

“Bianconerët” i kanë fituar nëntë nga 10 takimet e zhvilluara në Serie A në “Allianz Stadium” kundër Romës.

Fillimi i edicionit për Juventusin nuk ka qenë aspak i mirë në Itali. Me ardhjen e Massimiliano Allegrit në krye të klubit, skuadra është ngjitur në tabelë. Renditet në vendin e shtatë me 11 pikë. Roma ndërkohë pozicionohet tri vende më lart me 15 pikë.