Sport

Kualifikimi në Botëror përfundon një vit pothuajse perfekt për Danimarkën

Descriptive Text

Me kualifikimin në Kampionatin Botëror, Danimarka jo vetëm që tregoi qëndrueshmërinë e saj të jashtëzakonshme pas sulmit kardian të Christian Eriksenit, por paralajmëroi edhe ambiciet që i ka për turneun e madh që do të mbahet vitin tjetër në Katar. Një fitore me rezultatin 1:0 ndaj Austrisë të martën mbrëma në stadiumin e stërmbushur “Parken Stadium”, ia siguroi Danimarkës pjesëmarrjen në botërorin “Katari 2022”, një ditë pasi Gjermania u bë vendi i parë që u kualifikua në këtë ngjarje.

“Viti pothuajse i përsosur për ekipin kombëtar ka pasur një fund pothuajse të përsosur”, shkroi të mërkurën e përditshmja daneze “Politiken”, ndërsa Danimarka arriti tetë në po aq ndeshje në Grupin F. Pak mund ta kishte parashikuar ngritjen e mprehtë të Danimarkës katër muaj më parë kur Eriksen, krijuesi i ekipit, u rrëzua në të njëjtin fushë të Kopenhagës, me mjekët që nxituan për të administruar trajtimin për shpëtimin e jetës së tij. Incidenti traumatik forcoi vendosmërinë e Danimarkës, një komb i bashkuar pas ekipit të tij të futbollit që kaloi një valë emocionesh dhe arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2020”, duke u eliminuar nga Anglia në stadiumin “Wembley”.

“Është sikur Danimarka dhe ekipi kombëtar të kenë rënë në dashuri përsëri”, tha komentatori danez Andreas Kraul.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e përgëzoi ekipin në Instagram për kualifikimin në Botëror, duke postuar një fotografi të saj dhe ministres së Sportit të veshur bardh e kuq nga brenda stadiumit. Përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand, i cili nuk do të kishte qenë në krye të ekipit në “Euro 2020” nëse nuk do të ishte vonesa e shkaktuar nga pandemia, do të ketë një vit për të përgatitur skuadrën e tij për Kampionatin Botëror.

“Të gjithë lojtarët ëndërrojnë për kualifikim në botëror. Është një çmenduri. Kjo është e madhe për mua, është e madhe për ekipin, për futbollin danez dhe për Danimarkën”, tha mesfushori Pierre-Emile Hojbjerg. “Me moshën dhe cilësinë që kemi, ne vetëm do të vazhdojmë të rritemi. Bëhet fjalë për të qëndruar të përulur dhe për të mbajtur mendjen në vendin e duhur”.

Danimarka kapërceu rezistencën e fortë të Austrisë për të mbajtur rekordin e qindpërqindtë në kualifikimet për botërorin “Katari 2022”. Goli i Joakim Maehles në pjesën e dytë bëri që Danimarka të shënojë 27 gola pa pranuar asnjë në Grupin F. Me 24 pikë të mbledhura, Danimarka konfirmoi kualifikimin në Botëror duke e lënë pas vetes Skocinë që është në pozitën e dytë dhe ka shtatë pikë më pak.

“Do të thotë shumë. Kualifikimi ynë ndodhi në njërën prej netëve më të mira në stadiumin tonë dhe do të mbahet në mend përgjithmonë”, insistoi Maehle.

Lojtarët përsëri ia kushtuan fitoren Eriksenit, shoku i ngushtë i të cilit, Simon Kjaer mori lavdërime të shumta për trajtimin e tij gjatë ngjarjes shqetësuese që ndodhi më 12 qershor. Për Kraulin, incidenti ishte qartë një përbërës për grupin, i cili është shndërruar në më shumë se vetëm një ekip futbolli.

“Ai incident e bëri ekipin që të rritet dhe të bashkohet edhe më shumë”, shtoi ai.

Një penallti e diskutueshme u dha fund ëndrrave të Danimarkës në “Euro 2020”, por danezët tashmë po shikojnë përpara. Skuadra ka synime të mëdha, pasi dëshiron që të shkojë të paktën deri në gjysmëfinale të Botërorit të Katarit.

“Herën e fundit, ne ishim në gjysmëfinale në Evropian. Dua më shumë, duam shumë më shumë. Tani do të luajmë në Kupën e Botës dhe duam më shumë”, tha kapiteni i Danimarkës, Simon Kjaer, i cili është në mesin e 30 të nominuarve për “Topin e Artë”.

42 golat e Danimarkës këtë vit kanë thyer rekordin prej 32 golave të regjistruar në vitin 1962. Ky numër i golave ka të ngjarë të rritet me ndeshjet që Danimarka i luan muajin tjetër me Ishujt Faroe dhe Skocinë.

Se skuadra mund të lulëzonte në mungesë të Eriksenit, duke kapërcyer tmerrin e shikimit të një shoku të skuadrës që gati po vdiste në fushë, dukej e pamundur - ashtu si shanset e Danimarkës për të kaluar fazën e grupeve në “Euro 2020”. Megjithatë, Danimarka befasoi të gjithë në Evropian dhe është gati për një befasi tjetër në Botëror.

“Ata luajnë futboll që pëlqehet në Danimarkë dhe në vendet e tjera të botës, i cili është i këndshëm për t’u parë”, shtoi Kraul.

E përditshmja gjermane “Bild”, madje e quajti Danimarkën “ekip të vitit”, por përzgjedhësi Hjulmand dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Ky është sukses i përbashkët, por ne kemi ende shumë punë për t’u bërë. Duhet të përgatitemi për vitin tjetër”, shtoi ai.