Sport

Më në fund një skuadër kosovare luan në territorin e Ukrainës

Ukraina ishte prej vendeve me qëndrimin më diskriminues ndaj sportistëve kosovarë. Në të kaluarën ka pasur ndeshje të Përfaqësueseve të Kosovës e Ukrainës, por edhe të skuadrave nga të dy vendet. Por, asnjëherë në territorin e Ukrainës.

Deri më tani Ukraina nuk e ka lejuar hyrjen në këtë vend të sportistëve kosovarë, të paktën të atyre të sporteve të mëdha. Kjo, megjithatë, do të ndryshojë në fund të muajit.

Do të jetë kampioni i Kosovës në futsall (futboll të sallës), Liqeni i Drenasit, që në fund të tetorit do të luajë në territorin e Ukrainës. Liqeni do të garojë në raundin kryesor, “Main Round”, të Ligës së Kampionëve. Ndeshjet e grupit të gjashtë, ku bën pjesë Kosova, do të luhen në shtetin e Ukrainës. Ndeshjet i organizon skuadra ukrainase, Uragan, ndërsa marrin pjesë edhe United Galati i Rumanisë dhe Araz Naxçivan i Azerbajxhanit.

Ndeshjet do të luhen në qytetin ukrainas, Ivano-Frankvisk, prej 28 deri më 31 tetor. Liqeni e kaloi me sukses raundin preliminar të Championsit dhe kështu siguroi kalimin në “Main Round” dhe, po ashtu, udhëtimin historik në Ukrainë.

Për shkak se nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk njihte pasaportat e Kosovës, Ukraina nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj. Kësi qëndrimi nuk kanë pasur shtete të tjera që nuk e njohin Kosovën, duke përfshirë Rusinë, Spanjën, Sllovakinë, Bosnjë-Hercegovinën e disa të tjera. Vlerësohet se në këtë qëndrim të Ukrainës mund të ketë ndikuar edhe konflikti i saj me Rusinë dhe komplikimet e mundshme.

Që në vitin 2016, Ukraina e Kosova ishin takuar në kualifikime për “Botërorin 2018” në futboll. Ndeshja ishte organizuar në Krakow të Polonisë, ndërsa ishin lejuar 999 shikues. Ndeshja në të cilën Kosova ishte vendase, ishte luajtur në Shkodër, ku Kosova luante atëbotë.

Në basketboll, Ukraina bëri zhurmë për ndeshjen me Kosovën në Mitrovicë, por megjithatë e luajti atë, më 3 shtator të vitit 2016. Ndeshjen si vendase me Kosovën, më 14 shtator 2016, Ukraina e kishte organizuar në Vilnius të Lituanisë.

Në nivel klubesh, basketbollistët e Prishtinës ndeshjen si mysafir me Cherkaski Mavpy të Ukrainës e kishin luajtur në Vilnius të Lituanisë. Skuadra tjetër ukrainase, Khimik, ishte pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Kosovë ndaj Prishtinës, duke hequr dorë nga roli i nikoqirit.

Edhe në hendboll, Motor ZNTU ZAS e Zaporozhyes ishte pajtuar që dy ndeshjet me Besa Famiglia t’i luante në Pejë. Kjo kishte ndodhur në vitin 2011.

Por, ndryshe do të jetë me Liqenin, që kalimin në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve në futsall do ta kërkojë në Ukrainë.

“Është marrë vendimi që ndeshjet e grupit tonë në Main Round të luhen në Ukrainë. Edhe pse deri më tani nuk ka ndodhur që të ketë paraqitje të ekipeve apo Përfaqësueseve të Kosovës në Ukrainë, ne tashmë jemi pajisur me viza nga shteti ukrainas dhe do të udhëtojmë më 26 tetor për zhvillimin e garës. Ne jemi duke u përgatitur që të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në një përgjigje të klubit Liqeni për KOHËN.

“Është e vërtetë që Ukraina nuk ka pranuar asnjë ekip apo përfaqësuese të Kosovës që të luajë në territorin e saj. Ndërsa, ne jemi ekipi i parë që do të udhëtojmë për në Ukrainë për zhvillimin e garave. Nuk kemi pasur ndonjë problem lidhur me procedurat për pajisje me viza. Jemi pajisur me viza në Ambasadën e Ukrainës në Shkup”, kanë treguar në klubin nga Drenasi, që mban emër të veçantë dhe që menjëherë është shndërruar në forcë të futsallit në vend. Vizat për anëtarët e delegacionit të Liqenit janë vendosur në pasaporta të Kosovës. Disa vende, si Spanja e Bosnja për shembull, vizat për sportistët kosovarë i kanë vendosur në letra të posaçme, për faktin se nuk i njohin dokumentet e Kosovës.

Vitin e kaluar kishte pasur raportime se Ukraina tashmë i njeh pasaportat e Kosovës. Dhe, prej këtij ndryshimi të qëndrimi pritet të përfitojnë edhe sportistët.