Sport

Shala e Hadërgjonaj premtojnë angazhim ndaj Suedisë

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll Herolind Shala dhe mbrojtësi i krahut Florent Hadërgjonaj kanë premtuar angazhim maksimal për ndeshjen kundër Suedisë. Takimi në mes të Kosovës dhe Suedisë zhvillohet të shtunën në Solna dhe i takon kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Mesfushori Shala pret të ketë sa më shumë shqiptarë në përkahje të tyre në stadiumin “Friends Arena”, që pritet të jetë i mbushur me 50 mijë shikues.

Shala ka theksuar se stërvitja e së mërkurës në Kompleksin e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali ka qenë me intensitet të lart.

“Stërvitjet po shkojnë mirë. Sot e kemi bërë një stërvitje shumë intensive, me nivel të lartë. Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen. Atmosfera është gjithmonë shumë e mirë, jemi të kënaqur. Edhe stërvitjet po shkojnë mirë. Po e presim lojën me padurim. Presim një ndeshje shumë të vështirë sepse e dimë se me çfarë ekipi do të ballafaqohemi. Është një përfaqësuese shumë e fortë, me lojtarë me shumë cilësi. Luajmë jashtë në një stadium shumë të madh e me shumë tifozë. Besoj se mund t’i befasojmë me mënyrën se si luajmë ne. Kemi mundësi të marrim pikë jashtë kundër Suedisë”, ka thënë Shala.

Edhe Hadërgjonaj ka theksuar se në Suedi do të udhëtojnë për ta dhënë maksimumin. Madje, thotë se opsion e kanë edhe fitoren.

“Jo vetëm unë, por të gjithë kemi luajtur ndeshje të mira. Kemi luftuar së bashku. Besoj se të tria ndeshjet kanë qenë shumë të mira, kemi ecur përpara mirë si ekip. Taktikat që i kemi ushtruar në stërvitje kanë qenë të mira. Po e ndjej veten shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj jo vetëm unë, por i gjithë ekipi me paraqitje të mira. Këtë javë kemi pasur më shumë kohë për stërvitje për shkak se nuk kemi lojë gjatë javës. Edhe sot ushtruam shumë dhe shpresoj që të jemi gati për të shtunën. Të shtunën duhet të presim fitore, si gjithmonë. Jemi përgatitur mirë, kemi edhe dy ditë për të stërvitur. E dimë kualitetin e Suedisë dhe se çfarë na pret ndaj tyre. Shpresoj të mos i zhgënjejmë tifozët tanë”, është shprehur Hadërgjonaj.

Pas ndeshjes kundër Suedisë, Kosova më 12 tetor luan ndaj Gjeorgjisë në Prishtinë.