Ole Gunnar Solskjaer pranon se transferimet e reja të Manchester Unitedit kanë rritur pritshmëritë për trofe.
Ishte Gary Neville që sugjeroi që trajnerit norvegjez po i mbaron koha për suksese në “Old Trafford”. Unitedi është ende në kërkim të trofeut të parë qëkur Solskjaer mori drejtimin e ekipit në vitin 2018. Edicionin e kaluar Unitedi doli nënkampion i Anglisë dhe humbi në finalen e Ligës së Evropës kundër Villarrealit, ekip me të cilin do të përballet të mërkurën në kuadër të Ligës së Kampionëve. Ish-futbollisti i Unitedit, Neville, shtoi presionin ndaj ish-bashkëlojtarit të tij kur tha se Solskjaer duhet të fitojë trofe për 12 deri në 18 muaj për shkak të mbështetjes që ai ka gëzuar nga pronarët e klubit në tregun e transferimeve.
Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, sulmuesi i krahut, Jadon Sancho dhe qendërmbrojtësi Raphael Varane iu bashkuan Unitedit në afatin kalimtar të verës, ndërsa Bruno Fernandes dhe Edinson Cavani iu bashkuan ekipit vitin e shkuar. Por Unitedi u eliminua nga Kupa e Ligës në fillim të këtij muaji dhe zë vendin e fundit në grupin e Championsit, pas humbjes befasuese në xhiron e parë në udhëtim te Young Boysi.
“Ky presion për të fituar trofe është një privilegj. Për të punuar në këtë mjedis duhet ta përqafoni këtë presion. Po, unë jam mbështetur nga klubi në transferime. Progresi dhe procesi kanë funksionuar mirë. Por ne jemi mirë me rezultate”, insistoi Solskjaer të martën. “Ne jemi përmirësuar, pritjet janë përmirësuar me transferimet dhe paraqitjet janë më të mira. Unë jam këtu për të fituar dhe Gary e di këtë. Ai gjithmonë ka shumë gjëra për të thënë! Unë jam mësuar me Garyn”.
Neville gjithashtu e quajti ekipin e Solskjaerit një “bandë të çuditshme” për shkak të një tendence për të fituar ndeshjet përmes momenteve të shkëlqimit individual dhe jo shfaqjeve kolektive. Unitedi humbi 1:0 nga Aston Villa në Premier League të shtunën, duke humbur mundësinë për të shkuar në krye të tabelës dhe njëkohësisht për të regjistruar tri humbje në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Në këtë klub ne kemi një detyrim për të fituar, qoftë edhe me stil të caktuar të lojës. Ndonjëherë kjo është e rrezikshme dhe ju humbni një ose dy ndeshje. Kjo është mënyra se si i bëjmë gjërat dhe do të arrijmë atje, pra të fitojmë trofe”, është shprehur Solskjaer.