Sport

Shndërrimi i Jorginhos nga “lojtar i padëshiruar”, në lojtar që ofron stabilitet për Chelsean

Ndërsa përgatitet për një arritje të rëndësishme në ndeshjen e Chelseat në Ligën e Kampionëve kundër Juventusit, të mërkurën, mesfushori i Italisë, Jorginho, mund të reflektojë mbi vitin e artë që heshti kritikët e tij.

Jorginho do të bëjë paraqitjen e 150-të për Chelsean në ndeshjen e Grupit H, që zhvillohet në Torino. I pavlerësuar në Angli deri në muajt e fundit, Jorginho është shfaqur si lojtar kyç për Chelsean dhe Italinë, pasi fitoi Ligën e Kampionëve dhe “Euro 2020” brenda disa javësh.

Këto suksese bënë që 29-vjeçari të zgjidhet lojtari më i mirë i UEFA-s për edicionin 2020/21 dhe po vlerësohet njëri prej kandidatëve kryesorë për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”.

Është kjo një rilindje e jashtëzakonshme për një lojtar që u bë armiku publik numër një në mesin e tifozëve të Chelseat pas një sezoni të parë të trazuar me klubin nga Premier League.

“Të gjithë ata që nuk më besuan, që më kritikuan, duhet t'i falënderoj. Më dhanë edhe më shumë inkurajim. Më motivuan të punoja më shumë dhe më shumë për t’iu dëshmuar se e kishim gabim në lidhje me gjykimin ndaj meje”, ka thënë Jorginho. “Gjithçka që ndodhi ishte falë njerëzve që më qëndruan pranë, familjes, miqve, agjentit tim, shokëve të skuadrës, trajnerëve”.

18 muaj më parë askush nuk do të kishte besuar se Jorginho do të arrinte në shifrën e 150 ndeshjeve me Chelsean. Në edicionin e parë me londinezët, Jorginho ishte në shënjestër të pamëshirshme të tifozëve të frustruar me paraqitjet pa imagjinatë të ekipit nën drejtimin e Maurizio Sarrit. Ky i fundit kishte paguar 50 milionë funte për të sjellë mesfushorin italian nga Napoli, mes interesimit të madh nga Manchester City. Dyshja u prezantua në të njëjtën ditë në “Stamford Bridge” në vitin 2018, por nuk ishte periudhë e suksesshme për asnjërin në Londrën Perëndimore.

“Sarri-ball” - filozofia e bazuar në posedimin e topit nuk arriti të bartej nga Serie A në mjedisin e vështirë të Premier Leagues dhe kjo i kushtoi Sarrit shumë. Dhe praktika e Jorginhos për të kaluar anash ose prapa për të siguruar që Chelsea ta mbante topin, zemëroi tifozët të cilët kërkuan një qasje më të menduar në fazën e sulmit. I padashur nga tifozët dhe shumë lojtarë të tij, Sarri përfundimisht u largua në fund të sezonit të tij të vetëm në krye të Chelseat. Ai edicion përfundoi me Jorginhon që ndihmoi Chelsean të fitonte Ligën e Evropës, por pasardhësi i Sarrit, Frank Lampard, kurrë nuk dukej plotësisht i kënaqur me mesfushorin e Italisë. Jorginho ishte brenda dhe jashtë skuadrës gjatë mbretërimit të Lampardit, me dyshimet për të te Chelsea që u shndërruan në çështje debati të zjarrtë midis mbështetësve dhe ekspertëve, kur Thomas Tuchel mori drejtimin e skuadrës në janar. Duke lënë mënjanë stilin e tij të gjuajtjes së penalltive, Jorginho shpesh shfaqet si një yll ngurrues, i lumtur të shmangë vëmendjen nga fusha duke përdorur një qasje të matur.

Tuchel nuk kishte dyshime për vlerën e Jorginhos, duke vlerësuar se leximi i tij i mprehtë i lojës, vetëdija taktike dhe pasimet milimetrike e bëjnë atë një “numër gjashtë” ideal, të aftë për të udhëhequr kalimin e topit nga mbrojtja në sulm. Jorginho është rritur shumë nën Tuchelin, duke u bërë lojtar thelbësor për shpresat e Chelseat për të mbrojtur trofeun e Ligës së Kampionëve dhe për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë këtë edicion, i cili do të ishte i pari për ekipin nga Londra që nga viti 2017.

Për Tuchelin, mesfushori Jorginho është një lojtar me një qasje joegoiste, i cili i bën të tjerët të shkëlqejnë. Për këtë Tucheli e ka gjithmonë Jorginhon në qendër të vëmendjes.

“Ai është një djalë i shkëlqyer. Ai është i dashuruar me këtë lojë. Ai kurrë nuk ndalon së transmetuari këtë energji dhe ai me të vërtetë po mendon për taktikat dhe i pëlqen të përfshihet dhe të ndiejë një lidhje të vërtetë me lojën”, tha Tuchel. “Kjo e bën atë një lojtar shumë të rëndësishëm dhe një lidhje të madhe në mes të fushës, jo vetëm për ne, por edhe për Italinë”.