Sport

Sterling i pazëvendësueshëm tek Anglia, rezervist te City

I domosdoshëm për vendin e tij, por po anashkalohet gjithnjë e më shumë në klubin e tij.

Në moshën 27-vjeçare, Raheem Sterling është në kulmin e karrierës por edhe në një vend të pazakontë për momentin. Hyrja si zëvendësues në minutën e 87-të - si në fitoren e City ndaj Chelseat në Premier League të shtunën - është diçka me të cilën ai duhet të mësohet, veçanërisht për ndeshjet e mëdha të ekipit këtë sezon.

Statistikat japin një pamje shqetësuese për Sterlingun. Ai ka filluar dy nga gjashtë ndeshjet e Cityt në ligë. Janë ato në të cilat kampioni në fuqi ka lënë pikë në humbjen nga Tottenhami (1:0) dhe barazimin pa gola ndaj Southamptonit. Po ashtu janë edhe ndeshjet në të cilat City nuk ka treguar efikasitet në sulm. Pa të në formacionin startues City ka fituar me rezultatin 5: 0 dy herë kundër Norwichit e Arsenalit, si dhe mundi Leicesterin e Chelsean (1:0) me paraqitje të sigurta e dominuese.

Fitorja në “Stamford Bridge” mbetet paraqitja më e mirë e Cityt këtë sezon. Ka shërbyer si një paralajmërim për pjesën tjetër të ligës se Guardiola është i vendosur ta mbrojë titullin e fituar sezonin e shkuar. Po ashtu ishte edhe një indikacion tjetër që Sterlingu nuk është pjesë e formacionit startues. Pozita e tij, ajo e sulmuesit të krahut të majtë, tashmë është e zënë nga Jack Grealish, transferimi rekord i klubit gjatë afatit kalimtar të verës. Phil Foden është një tjetër lojtar që kërkon të jetë titullar në të njëjtën pozitë.

Në krahun e djathtë Gabriel Jesus është i pazëvendësueshëm. Guardiola është i kënaqur me angazhimin e tij. Riyad Mahrez ofron alternativë për Jesusin. Ka gjasa që Sterling të përdoret më shpesh si sulmues qendror, nëse City zgjedh të ketë një. Mirëpo tre golat e tij në 25 paraqitjet e fundit për ekipin sugjerojnë se Sterling nuk po shënon mjaftueshëm dhe se Guardiola nuk do ta preferojë në atë pozitë.

Ekziston konkurrenca edhe për rolin e qendërsulmuesit, me Ferran Torresin, Kevin De Bruyne apo Ilkay Guendoganin që luajnë shpesh një rol të tillë.

Për dallim prej Cityt, Sterling te Anglia është titullar i padiskutueshëm. Përzgjedhësi Gareth Southgate preferon të luajë me tre sulmues. Sterling ka shënuar pesë gola në 12 ndeshjet e fundit për përfaqësuesen, ku tre prej tyre ishin vendimtarë në Kampionatin Evropian, ku ishte pa dyshim lojtari më i mirë i skuadrës. Stili i lojës së Cityt është shumë më ndryshe se ai i Anglisë.

“Sterling është aktiv sa i përket lëvizjes në fushë, por futbolli varet shumë se sa mirë e bëjmë ndërtimin e lojës”, tha Guardiola.

Duke pasur parasysh profilin e tij, Sterling duhet të mendojë për të ardhmen. Kontrata e tij me Cityn është valide deri në verën e vitit 2023 dhe ai nuk do të ketë mungesë ofertash.

Me Cityn, që shpreson të shkojë deri në fund në çdo garë, Sterling mund të ketë hapësirë për të luajtur, por jo në ndeshjet ku ndoshta ai dëshiron të luajë. Ndeshja e së martës ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve do të japë një tregues tjetër për gjendjen aktuale të Sterlingut te City. Me Grealishin, që pritet të qëndrojë në krahun e majtë, Sterling pritet të qëndrojë përsëri në stol.