Klubi i futbollit Gjilani e ka dënuar incidentin në mes të tifozëve të Dritës “Intelektualët” dhe atyre të Gjilanit “Skifterat”.
“Intelektualët” pas përfundimit të pjesës së parë të derbit të zhvilluar të dielën në “Fadil Vokrri” në Prishtinë kaluan rrethojat e pjesës lindore për t’u përleshur me “Skifterat” që ishin të vendosur në pjesën veriore. Gjatë rrahjes, pati edhe hedhje të gjësendeve. Te Gjilani edhe më shqetësues e shohin lejimin e vazhdimit të ndeshjes me praninë e shikuesve. Pjesa e dytë nisi me vonesë për shkak se te Gjilani vlerësuan se nuk ka siguri për vazhdimin e lojës. “Dënojmë ashpër ngjarjen e cila ka ndodhur në pushimin mes dy pjesëve ndërmjet dy grupeve të tifozërive. Normalisht se është dashur të merren masa më të mëdha për këtë ndeshje, pasi që dihet rëndësia dhe rivaliteti që kanë dy klubet”, thuhet në reagimin e klubit të Gjilanit dërguar KOHËS.
“Edhe më shqetësuese është sjellja e zyrtarëve të ndeshjes, pasi që lejuan vazhdimin e ndeshjes me tifozë dhe po të njëjtin kanë hedhur shufra metalike dhe mjete të forta në pjesën e dytë në drejtimin e futbollistëve tanë”. Te Gjilani presin që pamje të tilla të mos shohin në të ardhmen. “Nuk duam ta drejtojmë gishtin askund, sepse kuptojmë situatën, por inkurajojmë të gjithë akterët pjesëmarrës, për herët e tjera të jenë më të vëmendshëm dhe më bashkëpunues, sepse e keqja nuk ka pronar. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit që shfaqen dhuna në stadiumet tona dhe aq më pak në derbi”, thuhet në reagim.
Është hera e dytë që derbi i Gjilanit luhet në Prishtinë. Drita ishte organizatore, ndërsa nuk ka dalë me qëndrim rreth incidentit.