5 perditesime
17:15

Gjilani fiton derbin lokal ndaj Dritës

Gjilani e ka fituar derbin më të madh në sportin kosovar atë kundër Dritës me rezultatin, 2:0.

Kjo ndeshje u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e parë në minutën e 66-të e shënoi nga gjuajtja e lirë, Gernard Progni, ndërsa të dytin Shend Kelmendi në minutën e 89-të pas një kundërsulmi. Drita nga minuta e 72-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Princ Balde u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrje të ashpër.

Ky derbi nuk ka kaluar pa incidente. Ishin tifozëritë e të dyja ekipeve, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit që u përleshen pas përfundimit të pjesës së parë.

Për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit të Gjilanit, Drita kërkoi që ndeshjen derbi ndaj Gjilanit ta organizojë në Prishtinë. Është hera e dytë që derbi luhet në Prishtinë.

Me këtë fitore, Gjilani zë vendin e pestë me 9 pikë, kurse Drita në vendin e tretë me 11 pikë.

17:08

Gjilani dyfishon epërsinë, shënon Kelmendi

Shend Kelmendi ka shënuar golin e dytë për Gjilanin, dy minuta pa përfunduar ndeshja derbi ndaj Dritës.

Blerim Krasniqi asistoi për golin e shënuar nga Kelmendi.

Ndeshja në mes Dritës dhe Gjilanit është duke u zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gjilani po fiton 2:0.

16:47

Gjilani në epërsi me supergolin e Prognit

Skuadra e Gjilanit është duke avancuar në derbin e Gjilanit pëballë Dritës 1:0 me supergolin e Gerhard Prognit nga gjuajtja e lirë.

Progni shënoi në minutën e 65-të në ndeshjen që po zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

16:28

Futbollistët e Gjilanit dalin në fushë, nis pjesa e dytë

Futbollistët e Gjilanit kanë vendosur për t’u kthyer në fushë për ta vazhduar pjesën e dytë të derbit në mes Dritës dhe Gjilanit. Derbi i qytetit të Gjilanit po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ndërsa pas saj ka pasur një përleshje në mes të dy tifozërive, “Intelektualëve” të Dritës dhe “Skifterave” të Gjilanit.

16:11

Rrahje në mes të tifozëve në “Fadil Vokrri”, Gjilani kërkon zbrazje të stadiumit

Një përleshje ka ndodhur pas përfundimit të pjesës së parë në mes të tifozërisë në përkrahje Dritës “Intelektualët” dhe atyre të Gjilanit “Skifterat”.

Në bazë të informatave të “KOHËS”, kanë qenë ata të Dritës që kanë kaluar rrethojat për t’u përleshur me “Skifterat” që janë të vendosur në pjesën veriore.

Gjilani ka refuzuar të futet në fushë për shkak të mungesës së sigurisë.

Te Gjilani kanë kërkuar zbrazjen e stadiumit për të nisur ndeshja.

Drita është orgnaizatore e ndeshjes derbi të Gjilanit që po zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri".

15:54

Drita – Gjilani, mbyllet pa gola pjesa e parë

Pjesa e parë e derbit ndërmjet Dritës dhe Gjilanit është mbyllur pa gola, 0:0.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të dyja ekipet në pjesën e parë u treguan më të kujdesshme duke bërë që të luhej kryesisht në mesin e fushës.

Në këtë ndeshje të pranishëm janë të dy tifozëritë, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, që kanë ofruar atmosferë të ngrohtë.