Bayerni ka vazhduar me fitore në Bundesligën gjermane. Skuadra e madhe bavareze të premten mbrëma fitoi 3:1 në udhëtim ndaj Greuther Fuerthit. Ishte kjo ndeshja e parë e xhiros së gjashtë të kampionatit gjerman.
Thomas Mueller shënoi për 1:0 që në minutën e dhjetë. Joshua Kimmich në minutën e 31-të realizoi për 2:0 pas asistimit të Leroy Sane.
Në minutën e 48-të Bayerni mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq të Benjamin Pavard. Fuerthi shënoi autogol në minutën e 68-të për epërsinë 3:0 të Bayernit. Sebastian Griesbeck dërgoi topin në portën e tij.
Rezultatin përfundimtar, 3:1, e vendosi Cedric Itten me golin e shënuar në minutën e 87-të.
Ndonëse kompletoi ndeshjen, sulmuesi i Bayernit, Robert Lewandowski nuk ka shënuar gola. Sulmuesi polak kishte shënuar në 15 ndeshjet e kaluara të Bayernit, por nuk ka mundur të thyejë rekordin e Gerd Muellerit për gola në ndeshje rresht.
Bayerni udhëheq në tabelë me 16 pikë. Fuerthi është i fundit me vetëm një pikë.