Sport

Rrahmani nuk ka lëndim serioz, gati për Cagliarin

Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani nuk ka ndonjë lëndim serioz dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Napolit, që e luan të dielën ndaj Cagliarit në Serie A.

Napoli ka bërë të ditur se Rrahmani i është nënshtruar testeve neurologjike të premten dhe është konstatuar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen e fundit.

Rrahmani ishte titullar në duelin në udhëtim ndaj Sampdorias që e fitoi Napoli 4:0 të enjten mbrëma, por kërkoi zëvendësimin në fillim të pjesës së dytë. Ai e lëshoi fushën në minutën e 48-të pasi u godit me top në fytyrë dhe mbeti i shtrirë në fushë.

Megjithatë, ai do të jetë gati dhe pritet të aktivizohet prej minutës së parë ndaj Cagliarit, ndeshje kjo që i takon xhiros së gjashtë në Serie A.

Rrahmani deri më tani, ka tri paraqitje për Napolin këtë edicion në të gjitha garat dhe ka shënuar një gol në kampionat.