Sport

Sot nis kampionati në hendboll, ndeshje interesante në xhiron e parë

Të mërkurën (sot) fillon edicioni 2021/2022 i Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Që në xhiron e parë ka ndeshje interesante, ka njoftuar FHK-ja.

Trepça – Vëllaznimi (18:00) dhe Rahoveci – Deçani (18:30) janë ndeshjet që luhen të mërkurën dhe në të cilat pritet të ketë rivalitet. Trepça e Vëllaznimi luajtën në Kupën Evropiane, ndërsa tashmë i kthehen skenës vendore.

Ndërkohë Rahoveci e Deçani janë inkuadruar nga Liga e Parë, por janë organizuar për Superligë. Të enjten janë ndeshjet Prishtina – Besa Famgas (19:00) dhe Drenica – Kastrioti (19:00).

Besa është kampione në fuqi, ndërsa Prishtinën e kishte rivalen më të madhe në edicionin e kaluar. Ndeshja mes Zhegrës e Llapit është shtyrë për javën tjetër, ka njoftuar Federata e Hendbollit.