Sport

Asllani urohet për kalimin e shifrës prej 150 ndeshjeve me Suedinë

Futbollistja Kosovare Asllani është përgëzuar të martën për arritjen e një shifre të rrallë. Sulmuesja ka pranuar një fanellë të Suedisë me numrin 150, për të shënuar numrin e ndeshjeve që ajo i ka me këtë përfaqësuese. Në të vërtetë këtë shifër ndeshjesh, Asllani e kishte arritur që më 24 korrik.

Të martën e luajti ndeshjen e 156-të. Jo shumë sportistë arrijnë të luajnë 150 ndeshje për përfaqësuese. Por Asllani mund të mburret me këtë fakt, ndërsa synon edhe shumë ndeshje të tjera. Ajo të martën startoi te Suedia që fitoi 4:0 ndaj Gjeorgjisë, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2023. Luajti deri në minutën e 60-të.

“Para ndeshjes, ylli i përfaqësueses, Kosovare Asllani është nderuar për zhvillimin e ndeshjes së 150-të me fanellën verdhë e kaltër. Uau”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës së Futbollit të Suedisë.

32-vjeçarja nga Mitrovica ka karrierë të mahnitshme në futboll. Ka nisur të luaj për Suedinë që në vitin 2008, ndërsa ka arritur në shifrën e 39 golave. Në nivel skuadrash aktualisht është pjesë e Real Madridit. Ka luajtur edhe për Linkopingun e Kristianstadsin në Suedi, Chicagon në SHBA, PSG-në në Francë e Manchester Cityn në Angli.

Suedia është prej përfaqësueseve më të forta në futbollin e femrave. Asllani me Suedinë i ka dy medalje të argjendta olimpike e po ashtu një medalje të bronztë botërore. Ajo shkëlqeu në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke qenë prej lojtareve kryesore te Suedia. Por Suedia humbi në finale. Asnjë futbollist shqiptar nuk i është afruar shifrës së Asllanit sa i përket ndeshjeve me përfaqësuese. Vetëm 23 futbollistë kanë 150 apo më shumë ndeshje me përfaqësuese. Rekordin e mban Soh Chin Ann i Malajzisë.

Futbollistet luajnë më shumë ndeshje me përfaqësuese. Madje Kristine Lilly ka plot 354 ndeshje për SHBA-në. Ajo ka luajtur nga viti 1987 e deri në vitin 2010. Sidomos lojtaret e SHBA-së shquhen për numrin e madh të ndeshjeve ndërkombëtare. Mbi 300 ndeshje i kanë katër lojtare. Rekordin sa i takon Suedisë e mban Caroline Seger, që është pensionuar pas Lojërave Olimpike të Tokios. Ajo i ka 221 ndeshje, ndërsa kishte filluar karrierën për Suedinë në vitin 2005.

Asllani aktualisht është bindshëm futbollistja më e suksesshme shqiptare. Në nivelin më të lartë ishte paraqitur vetëm edhe Fatmire Bajrami, që luajti për Gjermaninë.