Sport

Te Prishtina besojnë në përvojën dhe mentalitetin fitues të Berishës

Besart Berisha është vlerësuar goxha shumë nga trajnerë të ndryshëm në Australi për mentalitetin fitues. Është vlerësuar si ndër lojtarët më me përvojë në elitën e futbollit të Australisë - A-League - ku luajti deri para pak muajsh. E pikërisht te kampionia në fuqi e Kosovës, Prishtina, besojnë në përvojën dhe mentalitetin fitues të sulmuesit Berisha. Madje, presin që ai së shpejti të debutojë me fanellën e Prishtinës. Ish-sulmuesi i Shqipërisë dhe Kosovës ka nënshkruar kontratë për një vit me mundësi vazhdimi me Prishtinën dhe është zyrtarizuar të mërkurën nga ekipi kryeqytetas. Berisha është 36 vjeç dhe në fund të karrierës aktive, e cila është e pasur me suksese. Në Prishtinë, Berisha do të mbërrijë të premten, ndërsa do të nisë menjëherë stërvitjet me klubin “bardhekaltër”.

“Besarti do të vijë në Prishtinë të premten. Marrëveshja është arritur për një vit, por do ta shohim se si do të na ndihmojë këtë edicion. Ne besojmë në përvojën dhe mentalitetin e tij të fituesit. Besojmë se do të na ndihmojë neve si klub, por edhe me të rinjtë për shkak se ka përvojë të madhe. Edhe për moshën i kemi informatat e sakta dhe ne e dimë se ai do t’i dëshmojë vlerat e tij. Kemi biseduar edhe për formën e tij dhe normalisht që i duhet pak kohë për ta marrë veten, pasi kampionati në Australi ka përfunduar dhe ka pauzuar 2-3 muaj, por besojmë se shpejt do ta shohim në fushë, pasi ai është profesionist dhe ka punuar individualisht. Tani do ta ketë mundësinë të punojë edhe me grupin dhe mund ta kemi gati për 2 javë. Por për detajet do të shohim të premten. Koha do të tregojë të gjitha për të”, ka thënë drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli, të mërkurën për KOHËN.

Sulmuesi i rritur në Gjermani shënoi 142 gola në dekadën e tij në A-League, një magji e cila filloi kur trajneri Ante Postecoglou e transferoi në Brisbane Roar. Në Queensland, ai ishte pjesë e ekipit të shkëlqyer të Brisbanet, i cili ishte i pari që fitoi dy tituj rresht në A-League, më 2011 dhe 2012. Pas Brisbanet, Berisha shkoi në jug për t’u bashkuar me trajnerin Kevin Muscat te Melbourne Victory, duke i ndihmuar që ta fitojnë titullin e kampionit në vitet 2015 dhe 2018. Berisha pati një periudhë të shkurtër dhe të pakënaqshme te Hiroshima Sanfrecce në J-League të Japonisë, para se të kthehej për të qenë pjesë e skuadrës së parë perëndimore që u paraqit ndonjëherë në A-League, Western Unitedit. Sulmuesi karrierën e nisi tek ekipi pak i njohur në Gjermani, Tennis Borussia Berlin, në vitin 2003, kurse pas një viti u transferua te Hamburgu. Ai, gjithashtu, karrierë në Evropë bëri edhe te skuadrat Aalborg, Horsens, Burnley, Rosenborg e Arminia Bielefeld përpara se të zhvendosej në Australi në vitin 2011. Berisha në dy raste është shpallur edhe golashënuesi më i mirë në A-League, në sezonet 2011/12 dhe 2016/17. Prej vitit 2006 deri në vitin 2009 e përfaqësoi Shqipërinë, ku shënoi një gol në 17 ndeshje, ndërsa në vitin 2017 vendosi të luante për Kosovën, shtet për të cilin ka vetëm një paraqitje.

“Unë jam 36 vjeç, por mendoj se mund të luaj akoma për një sezon tjetër. Kam kaluar dy muajt e fundit në shtëpi, duke u stërvitur, duke e mbajtur veten në formë, duke kërkuar të gjej një mundësi. Kam pasur 10 vjet të mrekullueshëm këtu, duke fituar tituj me Victoryn e Brisbanen, jam stërvitur dhe kam luajtur me disa lojtarë të mëdhenj. Melbourne Victory ishte ekipi ku do të kisha dashur ta përfundoja karrierën. Është pak e trishtuar, sepse me të vërtetë doja të kisha një tjetër udhëtim me ta, por nuk ndodhi. Unë ende ndihem i aftë dhe i fortë dhe jam i vendosur të vazhdoj atje ku më jepet mundësia. Por unë jam shumë mirënjohës për njerëzit që takova, njerëzit për të cilët kam luajtur në Australi, madje edhe njerëzit që më urrenin, mund të them vetëm se jam shumë mirënjohës që erdha në këtë vend dhe arrita një sukses kaq të pabesueshëm”, pati thënë javë më parë Berisha për mediumet në Australi.