Sport

Kthimi i Shoshit në ligën ku shkëlqeu

Njëri prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Lis Shoshi, karrierën do ta vazhdojë në Izrael.

Shoshi deri më tani ishte te Peja, që të hënën njoftoi për largimin e tij në drejtim të Izraelit. Me Pejën 27-vjeçari kishte kontratë me mundësi për kalim në klube jashtë Kosovës. Dhe këtë e ka shfrytëzuar Shoshi, që ka firmosur me skuadrën elitare të Izraelit, Maccabi Rishon.

Lojtari i gjatë 211 centimetra, në kampionatin izraelit kishte luajtur në edicionin 2018/19. Ishte pjesë e skuadrës Maccabi Ashdod dhe ishte paraqitur me sukses. Kishte siguruar transferim në Gjermani, por një dëmtim i rëndë ia mohoi kalimin. Ka munguar gjatë, ndërsa sivjet është kthyer te Peja. Por ka vendosur që sërish të luajë në Izrael, ku kampionati është cilësor dhe me plot basketbollistë amerikanë.

“Ka qenë pjesë e marrëveshjes që në rast të ofertave nga jashtë të shkëputet kontrata. E falënderoj klubin që më hapi dyert dhe i uroj shumë sukses në vazhdim”, ka thënë Shoshi për KOHËN.

Pas zhvillimit në SHBA, Shoshi kishte luajtur për Prishtinën dhe më pas në Lituani te skuadra Pieno Zhvaigzhdes. Kulmin megjithatë e kishte arritur në Izrael.

“E njoh ligën pasi që kam luajtur atje. Ka qenë një vit shumë i mirë për mua në Izrael. Shpresoj që do të përsëritet. Pres paraqitje sa më të mira individuale dhe me ekipin”, ka theksuar Shoshi.

Ai tashmë është lojtari i vetëm i Kosovës në ndonjë ligë serioze evropiane, pa llogaritur të natyralizuarit.