Ish-përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani është emëruar në krye të Përfaqësueses së Australisë, ka njoftuar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) të mërkurën mbrëma. Ramadani 49-vjeçar jeton në Australi, por ka dhënë kontribut të madh në hendbollin e Kosovës.
Ai ishte në krye të Kosovës prej muajit prill të vitit 2016 deri në fillim të këtij viti dhe është ndër më të merituarit për rritjen e nivelit të ekipit kosovar. Ramadani është njëri prej hendbollistëve më të mëdhenj që ka pasur Australia. Ai ka luajtur në shumë Kampionate Botërore, si dhe ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 2000. Ramadani ka luajtur për Australinë prej vitit 1993 deri në vitin 2009. Ai ka qenë edhe përzgjedhës i Australisë prej vitit 2009 deri në vitin 2013 dhe mori pjesë në dy kampionate botërore. Gjatë karrierës si trajner, Ramadani ka qenë në krye të shumë ekipeve australiane.