Sport

Presidenti i KOK-ut jep arsyet për shkarkimin e Haxhijajt që paralajmëron padi

Presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, insiston se nuk e ka shkarkuar Shasivar Haxhijajn nga posti i sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni sportiv. Sipas tij, Haxhijajt i është ofruar posti i drejtorit sportiv, të cilin siç thotë Krasniqi për KOHËN, e ka refuzuar. Në fakt, Krasniqi ka thënë se vetëm e ka zbatuar statutin e KOK-ut, dhe ka dashur ta ketë një person të tij në pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Ai ka thënë se Haxhijaj nuk i ka kryer punë duke pasur parasysh se për postin që e ka mbajtur për katër vjet e gjysmë, kërkohet njohja e rrjedhshme e gjuhës angleze. Lajmi për largimin e Haxhijajt nga posti i sekretarit nuk është publikuar të mërkurën nga KOK-u, por është bërë publik nga vetë Haxhijaj që e cilësoi si të parregullt ligjërisht e proceduralisht. Vendin e Haxhijajt në KOK e ka zënë Besim Aliti.

“Unë kam shkuar në bazë të statutit, kam shumë gjëra për t’i thënë, por po kursehem. Nuk është e vërtetë që e kam larguar, i kam ofruar post të drejtorit sportiv, por ai nuk ka dashur. Edhe pse nuk ishte pjesë e imja dhe ka punuar kundër meje para zgjedhjeve në KOK, mua nuk më ka penguar. Stafi i vjetër është aty. Pozita e sekretarit është pozitë që më takon mua ta zgjedh dhe dua njeri të sigurt. Kam dashur ta kem një njeri timin që e di rrjedhimisht gjuhën angleze dhe atij i mungon. Mua nuk mi ka kryer punët që kam pasur nevojë. E Besim Aliti, është sekretari i ri i përgjithshëm. Ai nuk është pjesë e KOK-ut për fat të keq edhe pse ia kam ofruar të gjitha kushtet me pagë e krejt vetëm pozitën tjetër”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Krasniqi në krye të KOK-ut u emërua më 26 mars të këtij viti, duke e mposhtur në garë Besim Hasanin. Haxhijaj ishte i emëruar si sekretar në kohën sa KOK-u drejtohej nga Hasani. Krasniqi thotë se pjesa tjetër e stafit që ishin edhe në kohën e Hasanit, do të mbeten. Por, shton se pozita e sekretarit është e ndjeshme dhe se nuk ka pasur besim të plotë në Haxhijajn.

“Stafi tjetër mbetet ky që është deri më tash, është gjithçka në rregull. Ishte një pozitë e ndjeshme, sepse kryetari politikat e tij i udhëheq nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm. Kam sigurinë e plotë ndaj Alitit”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkohë, Haxhijaj ka thënë se asgjë që presidenti Krasniqi e thotë nuk qëndron. Madje, ai ka paralajmëruar padi, meqë insiston se ka pasur shkelje të Ligjit të punës.

“Fatkeqësisht ato që i ka thënë presidenti i KOK-ut, nuk qëndrojnë. Kemi pasur të mërkurën mbrëma mbledhjen e bordit dhe janë diskutuar të gjitha çështjet. Ai është pyetur prej meje e po ashtu edhe nga disa anëtarë të bordit se a i ka kryer të gjitha detyrat sekretari i KOK-ut që i takojnë, ai është përgjigjur ‘Po’. Po ashtu, është pyetur se a ka ndonjë vendim të Bordit që nuk është kryer ai është përgjigjur me ‘Jo’. A ka diçka që nuk është kryer siç duhet, ai është përgjigjur me ‘Jo’. A ka ndonjë vendim të Asamblesë Gjenerale të KOK-ut që nuk është kryer nga sekretari ka thënë ‘Jo’. Pra, cila është arsyeja që po kërkon shkarkimin e sekretarit, ai është përgjigjur se i ka premtuar Besim Alitit, shokut të tij pra i ka premtuar se do ta bëjë sekretar dhe e ka sjellë nga Kroacia për ta bërë sekretar. Mirëpo, ai nuk e ka konsideruar se pozita e sekretarit është me mandat dhe për ta shkarkuar duhet të ketë arsye”, ka thënë Haxhijaj të enjten për KOHËN.

Ai pranon se statuti i KOK-ut i jep të drejtën presidentit propozimin e emërimit dhe shkarkimit të sekretarit. Por, sipas tij, për t’u shkarkuar sekretari duhet të ketë arsye bindëse. E, sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Realisht ai nuk e ka pasur asnjë arsye bindëse për ta shkarkuar sekretarin, sepse jo e gjithë procedura sqarohet me statut e derisa e gjithë procedura nuk sqarohet me statut, atëherë kemi edhe një legjislacion në fuqi e që në këtë rast është Ligji i punës se si bën të shkëputet marrëdhënia e punës së një zyrtari. Dhe, realisht asnjë prej pikave që parasheh Ligji i punës, presidenti aktual nuk i ka respektuar. Është gjithçka e incizuar fatbardhësisht dhe ai procesverbal do të hyjë në trajtim edhe në organet e drejtësisë. Unë jam duke pritur vendimin dhe procesverbalin që ta përcjell në gjykatë në mënyrë që të vazhdoj tutje me procedurat, sepse unë jam i bindur që ata e kanë shkelur ligjin. Po përgatis padinë, se si do të kryhet padia nuk e di, sepse nuk e di vendimin”, ka theksuar ai. “Në momentin që do ta shoh vendimin, do të orientohet padia. Padia do të jetë për shkelje të procedurës me rastin e shkarkimit tim në mënyrë që të kthej të drejtën që më takon, sepse unë kam mandat në KOK dhe mandati nuk mund të ndërpritet për interesa personale, grupore dhe shoqërore. Nuk mund të qeveriset KOK-u me shoqëri dhe nuk mund të trajtohet si biznes. Edhe pjesa se unë nuk e di anglishten nuk qëndron, sepse unë e kam përfaqësuar KOK-un në shumë takime të ndryshme, ndërsa posti që më është ofruar si drejtor sportiv, nuk ka qenë i pranueshëm për mua, pasi ai post nuk ekziston”.

Pa reagim për largimin e Haxhijajt nuk ka mbetur edhe ish-kryetari i KOK-ut, Besim Hasani. Hasani që ka drejtuar KOK-un që prej vitit 1996 deri në vitin 2021 ka thënë se “një pjesë e Bordit të KOK-ut e preu degën në të cilën qëndronin, duke votuar të largojnë nga puna Shasivar Haxhijajn, njeriun me shumë përvojë dhe të dëshmuar në zbatimin e strategjisë së KOK-ut për Ciklin Olimpik 2017-2020”.

Hasani e ka quajtur klientelist veprimin e Bordit të KOK-ut.

“Me këtë qasje jo-olimpike, ju, jo vetëm që i hapët rrugën diskreditimit tuaj publik, por dëshmuat se po udhëhiqni me të njëjtën ‘ndershmëri’ siç siguruat edhe votat. Prandaj, ju rrënuesit, ju që votuat për largimin e profesionistit, ju që heshturazi i ndërpretë kurset bazë për administratorë të sportit dhe kursin për ASMC 3, ju që tentuat dhe bëtë shumë gjëra të pandershme, mos pandehni se nuk vëreheni nga delegatët e KOK-ut që iu kanë besuar votën! Ju ata i mashtruat, mos prisni t’ju falin!”, ka shkruar Hasani të enjten në faqen e tij në “Facebook”.