Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka insistuar se “Dardanët” duhet ta ndërrojnë mentalitetin, dhe ky do të jetë fokusi i tij gjatë këtij grumbullimi.
“Do të kemi në ditët e ardhshme, tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk mund të them se për ne është fillimi i një kampanje të re, pasi kemi luajtur dy ndeshje. Por, mund të them se është fillim i ri, pasi kemi pasur një periudhë të suksesshme dhe të pasuksesshme. Për mua, është koha që të rindërtojmë një ekip të fortë. Nuk kemi qenë në Evropian, por duhet të marrim mësime nga ky turne. Ka ardhur koha të krijojmë një skuadër që ka vlera sikurse më herët. Është koha që të kemi një mentalitet të fortë dhe të duhur për Kosovë. Fatkeqësisht, nuk është koha për një situatë të tillë, pasi kemi disa telashe me futbollistë. Edhe pse nuk është koha e duhur për këtë, por është koha të japim një reagim. Kemi përcjellë Evropianin dhe kemi pasur mundësi të shohim gjëra të rëndësishme. Nuk kanë të bëjnë me aspektin fizik e as taktik, por me mentalitetin. Dhe, është koha që Kosova menjëherë ta ndryshoj mentalitetin, dhe nëse këtë nuk e bën prej ndeshjes së ardhshme, do të kemi telashe. Kjo nënkupton se unë menjëherë do të flas sonte me ekipin se duhet ta ndryshojmë mentalitetin tonë, pasi ky është fokusi im gjatë këtij kampi”, ka thënë Challandes.
Kosova luan më 2 shtator në udhëtim kundër Gjeorgjisë, kurse më 5 dhe 8 shtator e pret në Prishtinë, Greqinë dhe Spanjën në kuadër të Grupit B kualifikues për Botërorin 2022 në Katar.