Ylli argjentinas Lionel Messi, do të debutoj me fanellën e Paris Saint-Germainit javën e ardhshme, kanë njoftuar të shtunën mediumet e huaja. Bëhet e ditur se Messi ndeshjen e parë zyrtare te PSG-ja, do ta luajë të dielën e ardhshme.
Ai pritet të jetë në fushë më 29 gusht kundër skuadrës së Reimsit, ndeshje kjo që PSG-ja e luan në udhëtim dhe i takon xhiros së katërt në Ligue 1.
Pjesë e skuadrës së Reimsit, janë edhe dy reprezentuesit e Kosovës, mesfushori Valon Berisha dhe sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli. Berisha pritet të jetë në fushë ndaj PSG-së, por jo edhe Zeneli që u lëndua gjatë fazës përgatitore me Reimsin për sezonin e ri.
Messi iu bashkua PSG-së, në fillim të këtij muaji si lojtar i lirë pasi u largua nga Barcelona. Ai me ekipin francez firmosi kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Argjentinasi te PSG-ja, do ta bartë fanellën me numrin 30.