Sport

Tucheli paralajmëron se Lukaku është gati për Arsenalin

Starti i dobët i Arsenalit këtë edicion në Premier League mund të bëhet edhe më i keq, pasi trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel ka paralajmëruar se transferimi rekord i klubit, sulmuesi Romelu Lukaku është i gatshëm për debutim të dielën. Lukaku u kthye te Chelsea pas shtatë vjetësh, me klubin londinez që pagoi 115 milionë euro për ta transferuar nga Interi, ekip të cilin belgu e ndihmoi ta fitonte titullin e kampionit në Serie A për herë të parë pas vitit 2010. Te Chelsea, janë të bindur se Lukaku mund të jetë arma e fundit, e nevojshme për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë. Dueli mes Arsenalit dhe Chelseat, zhvillohet të dielën prej orës 17:30 në stadiumin “Emirates”. Chelsea në këtë ndeshje do të jetë pa mesfushorin Christian Pulishiq që të premten ka rezultuar pozitiv me koronavirus, por të gatshëm për lojë do të jenë edhe Hakim Ziyech e N’Golo Kante që munguan në ndeshjen e parë ndaj Crystal Palacet.

“Situata me Pulishiqin është shumë e lehtë për t’u shpjeguar, pasi ai ka dalë pozitiv dhe tashmë është izoluar. Hakimi dhe N’Golo kanë stërvitur mirë ditët e fundit dhe nuk kanë pasur telashe, që do të thotë se ata do të jenë në ekip ndaj Arsenalit”, tha trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel që pastaj foli për Lukakun. “Lukaku ka pasur stërvitje të ngarkuara sepse është ardhur me vonesë. Ai do të jetë gati për ndeshjen ndaj Arseanlit dhe besoj se është pjesa që i ka munguar ekipit tonë. Romelu është profili i sulmuesit që e kemi kërkuar dhe prej tij presim gola, pasi për këtë punë është ardhur. Ndeshja me Arsenalin është një derbi i vërtetë, ne jemi përgatitur mirë dhe do të mundohemi ta fitojmë me një paraqitje të mirë. Por, duhet të jemi të përqendruar, sepse Arsenali është kundërshtar është i rrezikshëm”.

Arsenali të premten ka zyrtarizuar portierin Aaron Ramsdale dhe mesfushorin Martin Odegaard, ndonëse ky i fundit nuk pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Mikel Arteta për duelin me Chelsean. Arsenali pagoi 30 milionë funte për ta transferuar Odegaardin nga Real Madridi, i cili në pjesën e dytë të sezonit të shkuar ishte i huazuar. Megjithatë, Arteta ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm të reagojë ndaj Chelseat pas humbjes befasuese në xhiron e parë të këtij edicioni kundër Brentfordit me rezultatin 2:0.

“Besoj se ekipi do të reagojë të dielën, pasi kemi punuar shumë gjatë tërë javës për të përmirësuar gabimet që i patëm ndaj Brentfordit. Po ashtu, do ta kemi edhe ndihmën e tifozëve, e cila do të jetë shumë e rëndësishme në këtë derbi”, u shpreh Arteta. “Fokusi është që të kemi paraqitjen më të mirë të mundshme dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë rezultati nuk do të mungojë. Ky edhe është synimi ynë kundër Chelseat”.

E reagim prej ekipit të tij në xhiron e dytë, pret edhe trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola. City pësoi vikendin e shkuar nga Tottenhami në udhëtim, ndërsa të shtunën (16:00) e pret skuadrën e rikthyer në elitë, Norwichin që pësoi 3:0 nga Liverpooli.

“Ndaj Norwichit e kemi një sfidë që të fitojmë tri pikët e para këtë edicion, dhe duhet të fillojmë t’i fitojmë ndeshjet. Do të përpiqemi ta bëjmë këtë pasi duhet të qëndrojmë në krye të tabelës”, është shprehur Guardiola.

Ndërkohë, Manchester Unitedi dhe Liverpooli do të kërkojnë fitoret e dyta dhe marshimin drejt titullit të kampionit. Liverpooli e pret në shtëpi skuadrën e Burnleyt, ndërsa Manchester Unitedi pas triumfit 5:1 ndaj Leedsit, do të përballet me Southamptonin.