Sport

Vera e trazuar e Interit bën që gara për titull të jetë e hapur në Serie A

Interi fillon sezonin e ri në Serie A të shtunën në mes të protestave të tifozëve dhe problemeve të parave që kërcënojnë të prishin mbrojtjen e titullit të kampionit para se të fillojë gara. Ndeshjen e parë në sezonin e ri, Interi e luan kundër Genoas prej orës 18:30. Një verë dramatike për kampionët arriti në pikën më të ulët javën e kaluar kur sulmuesi yll, Romelu Lukaku, u shit te Chelsea, një transferim që zemëroi jo vetëm mbështetësit, por thuhet se edhe drejtorin e përgjithshëm, Giuseppe Marotta, dhe trajnerin e ri, Simone Inzaghi. “Gazzetta dello Sport” raportoi se pronarët kinezë të Interit, të kufizuar në para, e detyruan shitjen e sulmuesit të Belgjikës, Lukaku, pasi kishin shitur tashmë mbrojtësin e djathtë, Achraf Hakimin, një figurë kyç në triumfin e tyre të parë në Serie A që nga viti 2010, te Paris Saint-Germaini. Problemet financiare të klubit ishin të qarta para se të merrte kurorën e ligës, dhe muajin e kaluar trajneri i mëparshëm Antonio Conte u largua nga Interi duke e ditur se ekipi i tij mund të shpërbëhej. Megjithatë, Interi mbetet i fortë në repartet e tjera dhe në mesfushë ka njërin nga heronjtë e Italisë në “Euro 2020”, Nicolo Barellan. Lukaku është zëvendësuar me Edin Xhekon, një sulmues i njohur me Serie A, por boshnjaku është 35 vjeç dhe shënoi vetëm shtatë gola në ligë sezonin e kaluar. Mbrojtësi holandez, Denzel Dumfries, megjithatë është një zgjedhje intriguese për vendin e lirë në krahun e djathtë pas paraqitjeve fantastike në “Euro 2020”. Simone Inzaghi u largua nga Lazio për ta zëvendësuar Conten. Inzaghi e ka parasysh se nuk do ta ketë të lehtë mbrojtjen e titullit, por ka thënë se është i gatshëm për sfidën që e pret në sezonin 2021/22.

“Na pret një ndeshje e vështirë që në start, por ne jemi përgatitur mirë dhe të gatshëm për sezonin e ri”, është shprehur Inzaghi. “Do të mundohemi ta japim më të mirën nga vetja për ta mbrojtur titullin, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Megjithatë, kemi krijuar një ekip solid përkundër largimeve, të cilat jemi munduar t’i mbulojmë me ardhjet e reja”.

Të shtunën, në të njëjtën kohë, zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Veronas e Sassuolos, ekip që ka mbetur pa lojtarin kryesor, mesfushorin Manuel Locatelli që iu bashkua Juventusit ditë më parë. Ndërkohë, prej orës 20:45 do të zhvillohen dy ndeshje: Empoli – Lazio dhe Torino Atalanta.

“Ndaj Empolit pres të jetë një duel shumë i vështirë, por ne si ekip do të dalim në fushë për një paraqitje dhe rezultat të mirë. Jemi ekip në ndërtim, që fillimisht e ka synim pozitën e gjashtë në tabelë dhe pastaj do të shohim”, ka thënë trajneri i ri i Lazios, Maurizio Sarri, që do të përballet me ish-ekipin e tij.

Bazuar në largimet tek Interi, atëherë Juventusi mbetet favoriti kryesor për titullin e kampionit në sezonin e ri të Italisë. “Zonja e Vjetër” e ka kthyer në ekip trajnerin Massimiliano Allegri, i cili zëvendësoi Andrea Pirlon e shkarkuar. Edicionin e shkuar, Juventusi e fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë, por në kampionat përfundoi në pozitën e katërt. Skuadra e Juventusit, të dielën, luan në udhëtim tek Udinese prej orës 18:30. Allegri pritet t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, përfshirë edhe Manuel Locatellin, i cili u prezantua të enjten.

“Do të jetë një edicion i mirë dhe i paparashikueshëm, pasi të gjitha ekipet kanë bërë lëvizje. Është e rëndësishme që të startojmë me fitore dhe dëshirën për ta fituar titullin e kampionit. Janë 38 ndeshje dhe duhet të kemi vazhdimësi të rezultateve”, është shprehur Allegri. “Në miqësoret e zhvilluara kemi pranuar shumë gola, gjë që nuk guxon të na ndodhë në kampionat. Jemi munduar t’i përmirësojmë gabimet dhe në sezonin e ri futemi me optimizëm të madh”.

Portugezi Jose Mourinho do të jetë i gatshëm për debutimin e tij në krye të Romës, pasi u kthye në Serie A pas më shumë se një dekade. Mourinho, i cili fitoi “tripletën” me Interin në vitin 2010, këtë verë e mori drejtimin e Romës me synimin për ta ngritur në tabelë. Roma të dielën mbrëma e pret në shtëpi skuadrën e Fiorentinës. Te Roma në këtë takim pritet të debutojë edhe sulmuesi anglez, Tammy Abraham.

“Ndoshta nuk e kemi një ekip me përvojë si Juventusi e Milani, por jemi të stabilizuar. Jam i kënaqur me ekipin që e kam në dispozicion dhe me padurim po e pres ndeshjen e parë në kampionat, që besoj se do të jetë shumë e fortë dhe interesante”, është shprehur Mourinho.

Ndërkohë, xhiroja e parë e Serie A do të mbyllet të hënën, me dy ndeshjet e fundit. Prej orës 18:30, Cagliari e pret Spezian ndërsa Sampdoria dhe Milani do të përballen nga ora 20:45. Tifozët, më në fund do të jenë në gjendje t’i përjetojnë nga afër emocionet e sezonit të ri, pasi Qeveria italiane ka lejuar klubin të hapin 50 për qind të kapacitetit në fillim të këtij muaji.

“Do të jetë shumë emocionuese si për trajnerët, ashtu edhe lojtarët që do të luajnë para tifozëve pas një periudhe të gjatë. Kështu që, prania e tifozëve në tribuna, do të bëjë edhe më interesante garën për titullin e kampionit. Besoj se atmosfera do të jetë fantastike për të gjithë”, shtoi trajneri i Interit, Simone Inzaghi.