Për herë të katërt rresht KFF Mitrovica do ta përfaqësojë futbollin e femrave në vend në Ligën e Kampionëve. Kampionia e Kosovës nuk ka bërë shumë përforcime dhe nuk ka luajtur shumë miqësore, që vlerësohen të domosdoshme për paraqitje të nivelit më të lartë.
Por në klub vlerësojnë se janë të gatshëm për garën në Ligën e Kampionëve.
Mitrovica është pjesë e grupit të shtatë të raundit të parë kualifikues të Championsit. Këtë edicion raundi kualifikues luhet në formë grupi, përkatësisht me gjysmëfinale dhe finale. Vetëm fituesi i finales avancon në raundin e dytë kualifikues.
Mitrovica në gjysmëfinale, të mërkurën nga ora 17:00, takohet me Valerengan, kampionen e Norvegjisë. Nëse fiton gjysmëfinalen, atëherë më 21 gusht luan me fituesin e ndeshjes PAOK (Greqi) – Agarista Anenii Noi (Moldavi). Nëse humb luan për vendin e tretë në grup. Ndeshjet e grupit të shtatë luhen në Greqi.
“Jam e kënaqur me fazën përgatitore. Fazën e parë e kemi kryer në Mitrovicë, kurse planet ishin që fazën e dytë ta zhvillojmë në Mavrovë. Por për disa arsye nuk kemi mundur të shkojmë atje dhe jemi vendosur në Banjë të Pejës. Mendoj se qëndrimi atje na ka shërbyer mjaft mirë, edhe pse më duhet të potencoj mungesën e ndeshjeve miqësore që na penalizon goxha shumë. Kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje me ekipet Luboteni nga Maqedonia e Veriut dhe Vllazninë e Shkodrës”, ka thënë të dielën Suada Jashari, trajnere e Mitrovicës.
Kjo skuadër të martën pritet të udhëtoj për në Greqi.
“Synimi për ndeshjet e Championsit patjetër është që të paraqitemi sa më denjësisht dhe të mundohemi të kalojmë grupin edhe pse jemi të vetëdijshëm që e kemi shumë të vështirë sepse ndeshjen e parë e kemi me Valerengan e Norvegjisë. Do të thotë kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë. Por ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Shpresojmë në kualifikim”, ka shtuar trajnerja e skuadrës mitrovicase.
Mitrovica për herë të katërt luan në garën evropiane. Fillimisht në edicionin 2018/19 kishte humbur tri ndeshjet në raundin kualifikues. Në edicionin 2019/20 fitoi të tri ndeshjet në raundin kualifikues, ndërsa në fazën nokaut u përball me gjigantin gjerman, Wolfsburg dhe humbi dy ndeshjet me rezultat të thellë. Vjet kishte telashe me viza dhe humbi 2:0 nga St. Poelteni austriak në raundin kualifikues. Tani përballe e ka Valerengan, ndërsa e ka të garantuar edhe një ndeshje tjetër.
Në nivelin vendor, Mitrovica ka marrë të gjithë trofetë në katër vjetët e fundit. Madje vuan nga mungesa e denjë në ligë.
Për Evropë, mitrovicasit nuk kanë bërë shumë përforcime.
“Ne do të udhëtojmë me fondin e lojtareve që i kemi pasur edhe gjatë kampionatit. Kemi afruar vetëm një lojtare nga Maqedonia e Veriut, Eli Jakovska. Nuk është se kemi mundur të afrojmë ndonjë lojtare tjetër. Ishte shumë problematike kjo pjesë shkaku i procedurave të udhëtimit nga pandemia”, ka shtuar Suada Jashari.
Ajo vlerëson lartë Valerengan.
“E dimë që Norvegjia e ka futbollin e vajzave shumë të zhvilluar dhe të nivelit të lartë. Prandaj Valerenga vlerësohet favorite e grupit. Por edhe ekipi i PAOK-ut është mjaft i fortë. Nuk është që kemi pasur fat në short, por do të bëjmë më të mirën tonë”, ka theksuar Jashari.