Sport

Rashica mposhtet nga Liverpooli në debutimin te Norwichi

Milot Rashica ka debutuar me humbje në elitën e futbollit anglez. Të shtunën në mbrëmje, Rashica me skuadrën e tij të re Norwichin, u mposht nga gjiganti anglez, Liverpooli, me rezultatin 3:0, në xhiron e parë të Premier Leagues.

Reprezentuesi i Kosovës luajti për 77 minuta në këtë ndeshje dhe u zëvendësua nga ish-bashkëlojtari i tij te Werder Bremeni, Josh Sargent.

24-vjeçari Rashica në afatin kalimtar të verës u transferua nga Werderi i Bundesligës që nuk mbijetoi dhe ra një rang më poshtë në futbollin gjerman. Norwichi për sulmuesin e krahut pagoi 11 milionë euro.

Në edicionin që shkoi me skuadrën e tij luajti në 26 ndeshje, regjistroi tre gola dhe pesë asistime në të gjitha garat.

Liverpooli i Jurgen Kloppit nga ana tjetër e nisi për mrekulli kampanjën e re në Premier League. Golat për “të kuqtë” i realizuan Diogo Jota në minutën e 26-të, Roberto Firmino në minutën e 65-të dhe Mohamed Salah në minutën e 74-të.

Xherdan Shaqiri nuk ishte fare në formacionin e Liverpoolit. Në këtë afat kalimtar veror, reprezentuesi shqiptar i Zvicrës mund t’i bashkohet Lyonit në Francë.