Trajneri i Leeds Unitedit, Marcelo Bielsa, ka pranuar se i vjen shumë keq që e ka humbur futbollistin shqiptar, Ezgjan Alioski, gjatë kësaj vere.
Alioski u largua nga Leedsi si lojtar i lirë për t’u transferuar tek Al-Ahly.
“Më vjen shumë keq. Natyrisht, për shkak të pjesës së futbollit sepse kah pjesa humane kam shumë dashuri për Alioskin. E di që ai donte të vazhdonte dhe klubi donte ta mbante, por gjatë negociatave ndryshuan edhe interesat”, është shprehur Bielsa.
“Këto janë të përziera me gjëra ekonomike, të përziera me gjëra të kësaj natyre. Për ta përmbledhur, unë mendoj se klubi donte që ai të vazhdonte dhe ai donte të qëndronte dhe ishte një negociatë që nuk u kristalizua. Por, nuk përfundon këtu lidhja midis Alioskit dhe Leedsit”.
Alioski iu pat bashkuar Leedsit në verën e vitit 2017 nga Lugano duke e ndihmuar të rikthehet në Premier League. Sezonin e shkuar, Alioski pati tri gola e po aq asistime në 38 ndeshje për Leedsin në të gjitha garat.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.