Sport

Pas 17 sezonesh, La Liga nis pa Messin

Sezoni 2021/22 në La Liga fillon këtë fundjavë dhe do të jetë ndryshe nga çdo tjetër në 17 vjetët e fundit.

Do të jetë i pari pa Lionel Messin, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave dhe lojtari më i mirë që ndonjëherë ka luajtur në kampionatin spanjoll. Për herë të parë që nga viti 2004, Barcelona do të jetë pa Messin, pasi nuk arriti ta mbante në ekip për shkak të problemeve të mëdha financiare. Herën e fundit, kur La Liga ishte pa yllin Messi, personat si Diego Simeone, Zinedine Zidane dhe Luis Enrique ishin ende duke luajtur në vend se të stërvitnin ekipet.

Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior dhe Joao Felixi i Atletico Madridit ishin vetëm katër vjeç. Ish-sulmuesi i Barcelonës, Neymari, ishte në moshën e adoleshencës dhe sapo kishte firmosur kontratën e parë me ekipin e të rinjve të Santosit. Ndërsa synimi i Real Madridit, francezi Kylian Mbappe ishte vetëm pesëvjeçar dhe nuk kishte ende ndonjë të ardhme të ndritur.

Barcelona e fitoi vetëm dy herë titullin e kampionit brenda një dekade përpara se Messi të debutonte. Në 17 sezonet e ardhshme, këtë trofe Barça e fitoi dhjetë herë. Messi e fitoi epitetin e golashënuesit më të mirë të ligës tetë herë, që është rekord, ndërsa në total ka shënuar 474 gola në 520 paraqitje në La Liga, që gjithashtu është rekord. Tani skuadra e Barcelonës duhet të gjejë një mënyrë për të pasur sukses pa Messin, ndërsa ende përballet me situatën e vështirë financiare që dërgoi në largimin e argjentinasit.

“Kur e humb lojtarin më të mirë në histori, duhet të jesh real dhe të kuptosh se ke humbur një pjesë shumë të rëndësishme të ekipit. Ai ka kontribuar me shumë gola dhe asistime”, tha Gerard Pique, kapiteni i Barcelonës, e cili arriti në “Camp Nou” tre vjet pas debutimit të Messit.

“Ne nuk do të jemi më ekip i talentuar siç ishim më përpara dhe duhet ta kompensojmë mungesën e tij në mënyra të ndryshme. Lojtarët e tjerë duhet të marrin përgjegjësi dhe të pranojnë të luajnë në role të tjera. Ekipi gjithashtu duhet të adaptohet pa Messin. Në fund gjërat do të funksionojnë. Ne jemi Barcelona dhe do të vazhdojmë të luftojmë për tituj”.

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, i cili sapo kishte filluar zejen e trajnerit kur Messi debutoi, ka mbetur optimist për sezonin e ri. Madje ai me optimizëm do të futet në ndeshjen e parë të La Ligas, atë ndaj Real Sociedadit, që luhet të dielën.

“Pavarësisht largimit të Messit, ne jemi shumë të emocionuar për sezonin e ri, për ekipin tonë dhe për lojtarët tanë të rinj”, tha Koeman.

Sulmuesi i Holandës, Memphis Depay, shihet si përforcimi më i madh i verës te Barcelona, pas paraqitjeve të mira në ndeshjet kontrolluese para fillimit të edicionit të ri. Ndërkohë, Sergio Aguero nuk do të jetë në gjendje të debutojë për Barcelonën deri në mesin e muajit tetor për shkak të lëndimit të pësuar ditë më parë. Antoine Griezmann e Ansu Fati do të vazhdojnë të kontribuojnë në fazën e sulmit, ndërsa Pedri Gonzalez do ta ketë përgjegjësinë më të madhe në mesfushë.

Real Madridi gjithashtu nuk është mirë financiarisht për shkak të koronavirusit, dhe në sezonin e ri do të futet pa lojtarin kryesor. Sergio Ramos, i cili ka qenë pjesë e klubit prej vitit 2005, tani do të luajë për Paris Saint-Germainin.

Ramos dëshironte të qëndronte në klub, por drejtuesit nuk ia ofruan rinovimin e kontratës për të kursyer para. Edhe partneri i Ramosit në qendër të mbrojtjes, francezi Raphael Varane është larguar për t’u transferuar te Manchester Unitedi. Ndërsa, në vend të këtyre, Real Madridi e ka transferuar David Alaban si lojtar të lirë nga Bayern Munichu.

Reali, që e nis sezonin e ri të shtunën kundër Alavesit, do të drejtohet nga trajneri Carlo Ancelotti, i cili zëvendësoi Zinedine Zidanen e larguar në fund të sezonit të shkuar. Te Madridi do të vazhdojnë të jenë Karim Benzema, Eden Hazardi, Toni Kroosi, Marcelo, Luka Modriqi e Thibaut Courtoisi. Në ekip do të jetë edhe uellsiani Gareth Bale, që është kthyer nga huazimi te Tottenhami, ku ishte sezonin e shkuar. Skuadra e Atletico Madridit, që e fitoi titullin e kampionit duke shfrytëzuar vështirësitë e Barcelonës dhe Realit, do të mundohet ta mbrojë titullin me pothuajse lojtarët e njëjtë që ishin nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone.

Në fakt, Atletico e ka shtuar mesfushorin Rodrido De Paul në ekip, i cili do të udhëhiqet sërish nga Luis Suarezi, ish-sulmuesi i Barcelonës që shënoi 21 gola sezonin e fundit dhe ishte lojtari kryesor. Portugezi Felix mbetet armë shtesë në sulm, ndërsa në portë është Jan Oblaku. Ndeshjen e parë, Atletico e luan të dielën kundër Celta Vigos.

Sevilla e drejtuar nga Julen Lopetegui edhe në sezonin e ri pritet të jetë një ekip që do të luftojë për titullin e kampionit deri në fund, sikurse edicionin e kaluar. Erik Lamela është shtuar në sulmin e Sevillas, të prirë nga Youssef En-Nesyri, që ishte ndër shënuesit më të mirë të La Ligas sezonin e shkuar. Sevilla do ta hapë sezonin e ri të dielën kundër Rayo Vallecanos, ekip i rikthyer në elitë.

Qeveria e Spanjës do të lejojë që stadiumet të jenë të mbushura me tifozë deri në 40 për qind të kapacitetit të tyre. Vetëm një numër i limituar tifozësh u lejua në ndeshje në fund të sezonit të shkuar, dhe atë në disa pjesë të Spanjës që e kishin më shumë nën kontroll koronavirusin.

Ndeshja e parë në La Liga do të jetë ajo ndërmjet Valencias dhe Getafes. Kjo ndeshje zhvillohet të premten mbrëma.