Sport

Operohet Zhegrova, mungon disa javë

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes nuk do të mund të llogarit në shërbimet e Edon Zhegrovës të paktën për ndeshjet e shtatorit.

Zhegrova është lënduar të dielën dhe do të mungojë për disa javë. Këtë e ka bërë të ditur klubi i Zhegrovës, Baseli, të martën pasdite.

22-vjeçari e nisi me shumë sukses edicionin e ri në Superligën e Zvicrës. Në ndeshjen e parë ndaj Grasshoppersit kontribuoi me një asistim. Ndërsa në fitoren e thellë, 6:1, ndaj Sionit, kishte një gol e dy asistime. Edhe të dielën ndaj Servettes kishte momentet e mira, por u zëvendësua në minutën e 50-të. Ai la fushën për shkak të lëndimit.

“Edon Zhegrova në ndeshjen e së dielës kundër Servettes ka marrë një lëndim të meniskut të jashtëm në gjurin e djathtë dhe do të mungojë disa javë”, ka njoftuar Baseli.

Sipas njoftimit, lëndimi kërkonte intervenim kirurgjik që është bërë menjëherë të martën.

“FC Baseli i dëshiron Zhegrovës operim të suksesshëm dhe kthim të shpejtë në fushën e lojës”, thuhet tutje në njoftim.

Zhegrova është prej emrave të njohur të përfaqësueses së Kosovës. Pritjet prej tij vazhdimisht janë të mëdha. Ky është pritur të jetë edicion i lojtarit të krahut, por ai tani duhet të mungojë disa javë. Në fakt operimet pas lëndimeve të meniskut kërkojnë disa muaj, por Baseli ka njoftuar se Zhegrova do të mungojë disa javë.

Kështu rëndohet gjendja në përfaqësuesen e Kosovës para ndeshjeve të rëndësishme të shtatorit, që i takojnë eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 2 shtator Kosova luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë. Më 5 shtator është ndeshja Kosovë – Greqi, ndërsa më 8 shtator, Kosova e pret edhe Spanjën. Janë ndeshje që pritet t’i japin kahje kampanjës së Kosovës në këto eliminatore.