Sport

Erikseni ndihet mirë, viziton Interin në stërvitje

Mesfushori i Interit, Christian Eriksen, është në “formë të shkëlqyer fizike dhe mentale” në më pak se dy muaj pasi pësoi kolapsin tragjik në Kampionatin Evropian, ka njoftuar klubi italian.

Erikseni e vizitoi qendrën stërvitore të klubit të tij të mërkurën, pasi u kthye në Milano dhe u takua me shefin ekzekutiv të ekipit, Giuseppe Marotta, si dhe postoi një fotografi me bashkëlojtarët.

“Mesfushori danez takoi drejtorët, trajnerin, bashkëlojtarët dhe të gjithë stafin e pranishëm. Erikseni është duke u përmirësuar dhe është në formë të shkëlqyer fizike dhe mentale”, thuhet në komunikatën e Interit. “Ai tani do ta përcjellë programin rikuperues të caktuar nga mjekët danezë në Kopenhagë. Stafi mjekësor i Interit do të mbahet i informuar dhe do të përditësohet përgjatë gjithë procesit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ka qenë një prej skenave më të frikshme në historinë e futbollit kur Erikseni ra në fushë në ndeshjen hapëse të Evropianit kur Danimarka luajti me Finlandën më 12 qershor. Bashkëlojtarët e tij krijuan një rreth pranë tij, derisa stafi mjekësor e kreu detyrën me sukses duke e shpëtuar atë me defibrilator.

29-vjeçari Eriksen e kaloi një javë në spital, para se të kthehej në shtëpi në Danimarkë për t’u shëruar. Erikseni do t’u nënshtrohet testeve tjera mjekësore në Itali dhe nuk pritet të kthehet në fushën e lojës për të paktën gjashtë muaj.

Për shkak të arrestit kardiak dhe natyrës së tretmanit të tij, ai nuk mund të luajë në Itali, por mund ta vazhdojë karrierën në Angli ose Holandë ku rregullat janë ndryshe.