Sport

Rugova largohet nga KB Prishtina

Basketbollisti Fisnik Rugova nuk do të jetë pjesë e Sigal Prishtinës për sezonin 2021/22. Këtë e ka konfirmuar klubi nga kryeqyteti të dielën në “Facebook”. Rugova (207 cm) që luan në pozitën e qendrës ka qenë për një periudhë të gjatë pjesë e Prishtinës, ekip me të cilin ka fituar çdo trofe të mundshëm në basketbollin kosovar.

“Pas shumë e shumë vitesh kontribut në Prishtinë, Fisnik Rugova nuk do të jetë më në klubin ku nisi dashurinë e parë për basketbollin. Fisi me Prishtinën e Prishtina me Fisin kanë fituar gjithçka që mund të fitohet në basketboll. Andaj, ne si klub Fisit i dëshirojmë shëndet së pari e shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Rugova ka luajtur edhe për KB Pejën kurse burime të afërta me lojtarin, kanë bërë të ditur për KOHËN, se ai do ta vazhdoj karrierën te skuadra e Rahovecit, me të cilën tashmë ka arritur marrëveshje.