Mesfushori danez Christian Eriksen do të duhet të presë të paktën edhe gjashtë muaj përpara se të mund të luajë për Interin, dhe ka gjasa që ai të suspendohet përkohësisht nga Serie A pas sulmit kardiak.
Eriksen pësoi sulm kardiak në fushë në ndeshjen e parë të Danimarkës në Evropian kundër Finlandës. Ai u ringjall me defibrilator dhe u dërgua në spital përpara se t’i vendoset një defibrilator i vogël, por mjekët në Itali kanë paralajmëruar se askush me atë pajisje në trup nuk mund të luajë në Serie A.
Përderisa kampionatet tjera lejojnë lojtarët me pajisje të tilla që të luajnë, Federata e Futbollit të Italisë, ka kohë që e ka ndaluar një gjë të tillë. Nëse gjendja e zemrës së Eriksenit u shkaktua nga një inflamacion i përkohshëm, atij mund t’i hiqet pajisja dhe ai mund ta rifillojë karrierën e tij në Itali për Interin. Koha që duhet për teste dhe largimin e pajisjes nga trupi është të paktën gjashtë muaj.
Kështu që, derisa tek Interi e presin Eriksenin që t’iu bashkohet javën tjetër, sipas të gjitha gjasave danezi nuk do të mund të luajë deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Eriksen 29-vjeçar ka kontratë me Interin deri në vitin 2024.